Skandali i faljes së borxheve

Autori:Avdyl Pajaziti

Kompani të mëdha me pronar të huaj, korporata të fuqishme, por edhe kompani të shumta private me kapital vendor, kanë përfituar miliona euro në emër të Ligjit për Faljen e Borxheve të akumuluara nga përfundimi i luftës e deri në fund të vitit 2008.

Bazuar në listën e faljes së borxheve që është publikuar në ueb-faqen e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) shihet se kompanisë “Italbeton-Gen.Const”, i janë shlyer hiç më pak se 6 milionë e 753 mijë euro.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), shihet se pronar i këtij biznesi ka qenë shtetasi italian Lionello Polesel.

Gjithnjë duke u bazuar në dokumente zyrtare shihet se biznesi në fjalë ka qenë aktiv në vendin tonë deri në fund të dhjetorit të vitit 2012.

Por, nuk është vetëm kjo kompani e huaj që ka fituar nga vendimi Qeverisë për falje të borxheve. Në listën e gjatë shihen edhe shumë biznese të fuqishme vendore dhe të huaj.

Në listën për falje të borxheve gjendet edhe avokati nga Klina Kolë Puka, i cili tash e një kohë është duke vuajtur burgun për vepra të ndryshme penale.
Shuma e mjeteve që iu janë falur këtij janë 1 milion e 919 mijë euro.

Një shumë e madhe e parave prej më shumë se 2,5 milionë euro i janë falur edhe “Pajtimi Company”.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat e publikuara nga Administrata Tatimore e Kosovës shihet se një shumë e madhe e parave prej 1,3 milion euro u janë falur edhe kompanisë tjetër të huaj “Carta Isnardo”, ku në dokumentet zyrtare nuk figuron asnjë përfaqësues fizik, apo edhe juridik i kësaj kompanie të huaj. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/skandali-i-faljes-se-borxheve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala