S’ka rritje të pagave për tri vitet e ardhshme

Autori:Avdyl Pajaziti

Punonjësit e sektorit publik nuk do të kenë rritje të pagave për tri vitet e ardhshme.

Kështu ka planifikuar qeveria e Kosovës përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH).

Sipas këtij dokumenti qeveritar, shpenzimet për paga dhe mëditje do të kenë një rritje vjetore prej jo më të lartë se 0.4% përgjatë periudhës afat-mesme, gjë që i bie që kjo rritje do të bëhet për të mbuluar pagesën për përvojën e punës dhe mëditjet tjera, por jo edhe rritje të pagës, raporton ORAinfo.

“Si rezultat i kufizimeve të larta buxhetore dhe ruajtjes së nivelit të shpenzimeve për kategoritë tjera ekonomike dhe projekteve zhvillimore që bartin në vete një kthim më lartë ekonomik, shpenzimet për këtë kategori janë planifikuar të kenë një ngritje vjetore prej jo më të lartë se 0.4% përgjatë periudhës afat-mesme. Qeveria është e përkushtuar te përcaktoj një kornize ligjore (ligji për paga) e cila do të rregullojë nivelin e pagave, mëditjeve dhe shtesave për te gjithë te punësuarit ne sektorin publik. Si rezultat, shpenzimet buxhetore për këtë kategori planifikohen të jenë në rreth 562.3 milionë euro në vitin 2016”, thuhet në KASH.

Sipas dokumentit qeveritar, vitin që lëmë pas kategoria e shpenzimeve për paga dhe mëditje përfaqëson pjesën më të madhe të shpenzimeve rrjedhëse përgjatë periudhës planifikuese.

“Ngritja e theksuar në këtë kategori ka ndodhur në vitin 2014, si rezultat i vendimit të Qeverisë për ngritjen e pagave për shërbyesit civil në nivel prej 25%. Për më shumë, alokimi i mjeteve për implementimin e skemës së sigurimeve shëndetësore, si dhe implementimi i pjesës së kontratës kolektive që ndërlidhet me përvojën e punës ka shkaktuar që kjo kategori e shpenzimeve të ngritët për rreth 15% në vitin 2015 në raport me shpenzimet në këtë kategori gjatë vitit 2014”.

Në anën tjetër, Rrahman Jashari nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK), ka thënë për ORAinfo se zyrtarët qeveritar u kanë premtuar atyre se gjatë këtij viti, pas rishikimit të buxhetit do të ketë ngritje të pagave.

“U kisha bërë thirrje qeverisë që mos të ngutet me planifikimeve të tilla, pasi që neve po na krijojnë telashe në terren. Ne kundërshtojmë kategorishtë synimet e qeverisë që mos të ketë rritje të pagave për tri vitet e ardhshme. Ne kërkojmë nga qeveria që të harmonizojnë qëndrimet e tyre dhe mos të dalin me deklarata kundërthënëse”, ka thënë Jashari.

Ai ka thënë se do të bisedojnë lidhur me këtë çështje edhe me sindikatat tjera dhe do të harmonizojnë qëndrimet për të kundërshtuar fuqishëm vendimin për mos rritjen e pagave

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ska-rritje-te-pagave-per-tri-vitet-e-ardhshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala