S’ka rilicenim për zyrtarët që shpenzojnë milionat e shtetit

Zyrtarët e prokurimit publik, të cilët menaxhojnë me mbi 400 milionë euro në vit për blerjen e mallrave dhe shërbimeve të ndryshme për institucionet e Kosovës, nuk pritet qe të avancohen me licencime tjera, ashtu siç ka premtuar partia e Isa Mustafës, LDK.
Kryetari i Komisionit Rregullativ Prokurimit Publik (KRPP), Safet Hoxha ka thënë për ORAinfo, se rilcencimi i zyrtarëve të prokurimit publik nuk ka filluar ende.
“Për rilecnimin e zyrtarëve të prokurimit, duhet të hartohet fillimisht korniza ligjore, ngase një e drejtë e fituar njëherë, është vështir të merret”, ka thënë Hoxha.
Ai ka njoftuar se tash për tash do të bëhet vetëm trajnimi i zyrtarëve të prokurimit për aplikimin e prokurimit elektronik.
Në anën tjetër, shoqëria civile shprehet e pakënaqur me hapat që janë ndërmarr në avancimin e prokurimit publik.
Isuf Zejna nga KDI, ka thënë për ORAinfo, se ri licencimi i zyrtarëve të prokurimit vështirë se mund të ndodh për shkak të kufizimeve ligjore që janë në këtë drejtim.
“Ligjet rregullojnë formën se si licencohen zyrtarët e prokurimit dhe rastet kur kjo licencë mund të ju merret”, ka thënë Zejna.
Ai ka pohuar se në plan programin elektoral LDK ka premtuar reformë në fushën e prokurimit dhe atë duke u bazuar në tre shtylla kryesore.
“Së pari aplikimi i prokurimit elektronik, proces i cili kishte filluar shumë më herët nga Banka Botërore edhe KRPP, Ri licencimin e zyrtarëve të prokurimit dhe aplikimin e prokurimit të centralizuar. Që nga dhjetori i vitit të kaluar kur ky kabinet qeveritar ka marr mbështetjen e Kuvendit të Kosovës e deri më sot janë bërë vetëm disa hapa të vegjël në jetësimin e këtyre premtimeve elektorale. AQP ka filluar me aplikimin e tenderëve të parë të centralizuar, pas aprovimit të dhënë nga qeveria për artikujt e përbashkët”, është shprehur Zejna.
Ai ka thënë se ka vonesa të mëdha në implementimin e prokurimit elektronik.
Megjithatë, Zejna ka thënë se këto nuk janë problemet kryesore dhe të vetme në fushën e prokurimit, kjo pasi që ka nevojë që në Kosovë të merren më shumë hapa rreth nxjerrjes së standardeve të prokurimit për fusha të caktuara, si karburantet, ndërtimi i rrugëve, mirëmbajtja e rrugëve, servisimi i automjeteve etj.
“Institucionet e Kosovës qalojnë shumë në mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave, ku ne llogarisim se është problemi themelorë i prokurimit publik. Gjithashtu duhet të bëhet më shumë në zvogëlimin e korrupsionit në sektorin e prokurimit duke nxitur denoncimin e korrupsionit dhe klientelizmit në administratë publike”, ka thënë Zejna. /ORAinfo/