S’ka më shoping me vetura zyrtare

Zyrtarët e shtetit do ta kenë më të vështirë të shkojnë vikendeve për shoping në vendet e rajonit ose për pushime me vetura zyrtare. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që të gjithë ata që përdorin veturat zyrtare jashtë angazhimeve shtetërore të ndalohen dhe të kthehen mbrapa në kufi.
Kryeministri, Isa Mustafa, kaa thënë se kjo dukuri nuk duhet lejuar ndërkaq ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme që herëve tjera këto vetura të ndalohen, dhe nëse nuk janë të autorizuar për të udhëtuar zyrtarisht, të kthehen prapa.
Për festën e 1 Majit, qytetarë të shumtë që kishin vizituar Shqipërinë dhe jo vetëm, kanë raportuar se kanë parë shumë vetura zyrtare duke shkuar drejt vendeve fqinje, veçanërisht drejt Shqipërisë.
Në mbledhjen e së hënës, Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetet e katër komunave në veri të vendit, Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin.