S’ka më punëtorë pa kontrata

Autori:Avdyl Pajaziti

Nga sot e tutje të gjithë punëdhënësit duhet të kenë kujdes të mos i lënë punëtorët pa kontrata pune. Kjo për shkak se inspektorati i punës do të fillojë inspektimin në të gjitha bizneset dhe do të shqiptojë gjoba për të gjithë ata punëdhënës që nuk i kanë kontraktuar punëtorët e tyre.

Kështu u tha në përmbylljen e fushatës një mujore për vetëdijesimin e punëdhënësve për respektimin e Ligjit të punës dhe respektimin e Ligjit për siguri në punë.

Kjo fushatë, sipas kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës ka qenë e nevojshme për shkak se vetëm gjatë vitit 2014 janë gjetur 2700 punëtorë pa kontrata pune, ndërsa në vitet paraprake ka pasur edhe më shumë.

Basri Ibrahimi paralajmëroi se me përmbylljen e kësaj fushate, më nuk do të ketë falje për asnjë punëdhënës dhe se do të ketë ndëshkime të menjëhershme me gjoba, pasi që deri më tash për këtë çështje punëdhënësve i është dhënë kohë e mjaftueshme për ndryshim.

Ndërsa për sa u përket çështjeve tjera, Ibrahimi bëri të ditur se ata do t’u japin ende kohë punëdhënësve për përmirësim për shkak të gjendjes financiare në të cilin gjinden ata.

Pas një ose dy muajve, inspektorati mendon të bëjë edhe një përmbyllje apo rrumbullakim të inspektimeve, në mënyrë që të shohin rezultatet e fushatës. Për këtë ata kanë paralajmëruar që edhe mediet do të jenë të informuar për çdo veprim të tyre që do të marrin.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ska-me-punetore-pa-kontrata/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala