S’ka më ngrohje

Nga sot ndërmarrja publike Termokos do të ndërpres ngrohjen për qytetarët. Kjo, si pasojë e ndaljes së furnizimit të Bllokut 1 të Termocentralit “Kosova B”.
Në një komunikatë për media të Termokos Sh.A, thuhet se ndalja e këtij blloku detyron që të ndërpritet furnizimi me ngrohje nëpërmes kogjenerimit.
Por, Termokos premton se nëse gjatë ditëve në vazhdim do të ketë temperatura shumë të ulëta, ngrohja do të ofrohet nga operimi me mazut.
“Sipas planifikimit, në muajin prill sistemi i kogjenerimit do të lidhet edhe me Bllokun 2 të TC “Kosova B”, gjë që rritë kapacitetet dhe sigurinë e operimit si dhe mundëson fillimin dhe përfundimin me kohë të sezonit të ardhshëm ngrohës 2015-2016”, thuhet në këtë komunikatë.
Termokos SH.A, kërkon mirëkuptim nga konsumatorët dhe njëkohësisht falënderon të gjithë parapaguesit e rregullt të faturave të ngrohjes, të bindur se vetëm bashkëpunimi i ndërsjellë do të ndihmojë për realizimin e misionit të kësaj ndërmarrje, e që është sigurimi i ngrohjes cilësore dhe të mjaftueshme si në sezonin ngrohës, që po përmbyllet.