S’ka më imunitet, deputetët mund të arrestohen

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputetët që dyshohen të kenë kryer vepra penale, qoftë para, qoftë gjatë mandatit të tyre, që nga korriku i këtij viti, në rast të miratimit të projektligjit aktual për Kuvendin, do të mund të arrestohen në çdo moment për veprimet jashtë Kuvendit, nga organet e ndjekjes penale pa vendim paraprak të Parlamentit për heqjen e imunitetit të tyre.

Kryetari i nënkomisionit për mandate, imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se Ligji i ri për Kuvendin, respektivisht dispozitat e kapitullit të tetë që flasin për detyrat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe imunitetin e tij, harmonizohet me disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, ndër ta edhe me një vendim të shtatorit të 2011-s, e që autorizon organet e ndjekjes penale për arrestimin e deputetëve edhe pa vendim paraprak të Kuvendit për heqjen e imunitetit, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Rregullimi i çështjes së imunitetit do të jetë konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese. As tash e as atëherë nuk ka pasur mbrojtje nga ndjekja penale, dhe kjo është çështje shumë mirë e rregulluar me Kushtetutë. Ne tash po rregullojmë edhe ligjërisht procedurat qofshin ato të heqjes së imunitetit, qofshin të arrestimit apo ndalimit të deputetit”, ka bërë të ditur Zemaj, i cili tha se miratimi i Ligjit për Kuvendin po synohet të përfundojë qysh në korrik të këtij viti.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ska-me-imunitet-deputetet-mund-te-arrestohen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala