S’ka letër, s’ka patentë shoferi

Autori:Avdyl Pajaziti

Mungesa e letrës, e cila shërben për shtypjen e patentë shoferit, ka ndikuar që shumë qytetarë, me javë të tëra të mos pajisen me këtë dokument.

Një qytetar nga Dragashi ka thënë për Telegrafin se ndonëse ka aplikuar për patentë shoferi më 20 mars të këtij viti, ende nuk e ka marrë këtë dokument.

Sipas tij, herën e fundit kur ka shkuar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve dhe Lëshimin e Patentë-shoferëve, ka qenë javën e kaluar.

“Kam qenë javën e kaluar. E vetmja përgjigje e zyrtarëve përgjegjës ka qenë: ende nuk ka ardhur prej Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve”, ka thënë ai.

Siç mëson Telegrafi, fakti se pse ka vonesa në pajisjen e qytetarëve me patentë-shoferë, ka të bëjë kryesisht me mungesën e letrës që nevojitet për shtypjen e këtyre dokumenteve.

“Bëhet fjalë për vonesë të tenderit për furnizim me letër e cila përdorët për shtypjen e patentë-shoferëve”, i ka thënë një burim.

Në anën tjetër, nga zyra për informim e MPB-së, kanë thënë për Telegrafin se aplikimet për të gjitha statuset e patentë shoferëve, janë duke u bërë në përputhje me procedurat legjislative në fuqi, përfshirë sipas tyre, edhe aplikimet për vazhdimin e afatit të vlefshmërisë së patentë shoferëve, e të cilëve u ka skaduar afati për shumë se një vit.

Ata kanë theksuar se “duke pasur parasysh vëllimin e aplikimeve për patentë shoferë (sidomos vazhdimin e afatit të këtij dokumenti) pajisja e qytetarëve po bëhet në mënyrë të vazhdueshme (sipas radhës së aplikimit)”.

“Jemi duke u angazhuar që në afate sa më të shpejta kohore, t’i pajisim të gjithë aplikantët me patentë shoferë, përfshirë këtu edhe aplikuesit që e kanë humbur patentë shoferin. Njëkohësisht, punë intensive është duke u bërë edhe me aplikuesit që kërkojnë pajisje urgjente me patentë shoferë (të cilat parashihen të dorëzohen atyre brenda 72 orëve)”, kanë theksuar nga zyra për informim e MPB-së.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ska-leter-ska-patente-shoferi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala