S’ka BE për Serbinë pa njohjen e Kosovës

Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës për shkak të Katalonisë, por kjo është qesharake pasi populli katalunas do të vendosë lirshëm për të ardhmen e tij, e pranoi apo jo Spanja pavarësinë e Kosovës. Kështu ka thënë ndër të tjera në një intervistë ekskluzive dhënë “Zërit” eurodeputeti katalunas, Josep-Maria Terricabras.
Ai është i bindur që anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evrpian është garancia më e mirë për stabilitet dhe zhvillim në Kosovë e rajon. Madje Serbia do të jetë e detyruar që ta njohë Kosovën, nëse synon integrimin në Bashkimin Evropian. Kështu ka thënë eurodeputeti katalunas Josep-Maria Terricabras, në një intervistë për gazetën “Zëri”, i cili në shumë prononcime ka përkrahur integrimin e Kosovën në BE.
Sipas tij, Parlamenti Evropian duhet të veprojë më shpejtë sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën. Mbetja e Kosovës, i vetmi vend i izoluar, sipas Terricabras, është një trajtim jo i drejtë nga Evropa që po u bëhet kosovarëve.
Eurodeputeti katalunas ka folur edhe për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe kushtet që kjo e fundit do t’i ketë drejt integrimit.
“Njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë absolutisht dhe padyshim e detyrueshme për Serbinë para se kjo të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Terricabras. /Zëri