S’janë befasuese të gjeturat e Raportit të Progresit për mungesë të zhvillimit ekonomik

Autori:Avdyl Pajaziti

Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2015, i publikuar të martën nga Komisioni Evropian, ka evidencuar një sërë mangësish edhe në aspektin ekonomik. Pas këtyre mangësive, sipas përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe njohësve të çështjeve të ekonomisë, qëndron shteti ligjor jo i fuqizuar, lufta joserioze kundër korrupsionit, mungesa e transparencës, keqpërdorimi i parasë publike dhe mungesa e prioriteteve.

Raporti, ndër të tjera, thekson nivelet shumë të ulëta të fuqisë pjesëmarrëse punëtore së bashku me shkallën e lartë të papunësisë, që pengon zhvillimin ekonomik, ndërsa thekson nevojën që rekomandimet e Këshillit për programin e parë të reformës ekonomike në Kosovë duhet të çohen deri në fund.

Po ashtu raporti vlerëson se zhvillimi ekonomik ka rënë në 0.9% – nën mesataren e dhjetëvjetorit të fundit prej 3.5% – kryesisht për shkak të pasigurisë politike dhe konsumit më të ulët se që është menduar privat. Po ashtu thotë se deficiti i vazhdueshëm tregtar reflekton një bazë të dobët të prodhimit dhe mungesë të konkurrencës ndërkombëtare.

“Një sektor joefikas publik dhe hartimi ad-hoc i politikave fiskale përbëjnë rreziqe të konsiderueshme fiskale. Për të rritur konkurrencën, duhen bërë investime shtesë në kapitalin njerëzor dhe në infrastrukturën fizike. Ndërhyrjet politike në ekonomi duhet të ulen”, thekson Raporti i Progresit.

Mirëpo, njohësit ë çështjeve ekonomike vlerësojnë se nuk është befasues një raport i tillë me të gjetura negative në aspektin ekonomik, sepse edhe viteve të kaluara janë identifikuar deficite zhvillimore. Sipas tyre, është utopike në qoftë se mendohet se Kosova do të ketë zhvillim ekonomik nëse nuk do të ketë sundim të rendit dhe ligjit.

“Në qoftë se barrierat e të bërit biznes janë korrupsioni, burokracia, nepotizmi, meritokracia, mbi të gjitha tenderomania dhe prokurimi publik, atëherë si mund të zgjidhen këto dukuri përveç sundimit të rendit dhe ligjit? Sa i rëndësishëm qenka sundimi i rendit dhe ligjit, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë integrues, në aspektin promovues dhe përmirësimit të imazhit të Kosovës.

Në këtë drejtim nuk duhet të na shqetësojë një raport i tillë. Është një raport që e ka bërë një skenim të gjendjes reale me të cilën ballafaqohet Kosova. Një raport i tillë shumë më tepër duhet të jetë motivim shtesë që t’i përvjelim mëngët  dhe t’i kryejmë detyra dhe obligimet që dalin nga ky raport, sesa të humbim kohë në kërkim të arsyeve për dështim”, ka thënë për KosovaLive, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ai shton se në qoftë se mundohen që t’i gjejnë arsyet për dështim në të kaluarën, do ta humbin ardhmërinë.

“Në këtë drejtim raporti nuk e ka shpikur ujin e nxehtë, por e ka thënë atë çka është. Pra duhet të pranohet si një realitet i hidhur, i cili duhet të na obligojë të punojmë në përmirësimin e të gjeturave dhe jo të derdhim lot krokodili për atë se çka është thënë në raport. Raporti i Progresit është një diagnozë e konstatuar me ekspertizë reale. Për këtë diagnozë duhet të gjenden medikamente adekuate për të shëruar këto pasoja”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka theksuar se në qoftë se bëhet një krahasim i kohës para vitit 2008 dhe pas shpalljes së pavarësisë është për t’u turpëruar që gjërat janë duke përjetuar më shumë regres sesa progres.

Sipas tij, Raporti i Progresit duhet të merret me një seriozitet të veçantë dhe në rend të parë të krijohet mirëqenie dhe stabilitet social, ndërsa në rend të dytë të kthehet besimi te kosovarët dhe tek elita kosovare “që mund të bëjmë shtet të bazuar në sundim të rendit dhe ligjit”.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), bruto prodhimi vendor (BPV) në vitin 2014 ishte 5 miliardë e 567.5 milionë euro, e që krahasuar me vitin 2013 ishte 1.2% më e lartë. Ndërsa, BPV-ja për kokë banori për vitin e kaluar ishte 3,084 euro. Por, sipas publikimit të ASK-së, Kosova për vitin 2014 ka rritjen më të ultë të BPV-së krahasuar me shtetet e rajonit prej 1.2%, Shqipëria 1.9%, Maqedonia 3.8%, Mali i Zi 1.5%, ndërsa Serbia më ulët për -1.8%. Ndërsa, Raporti i Progresit vlerëson se zhvillimi ekonomik ka rënë në 0.9% – nën mesataren e dhjetëvjetorit të fundit prej 3.5%.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, ka thënë për KosovaLive se në Raportin e Progresit për vite të tëra janë identifikuar deficite në zhvillimin ekonomik dhe në tërësi janë reflektuar edhe në raportin e fundit.

Ai ka shtuar se e tëra kjo mund të përkufizohet si qeverisje e dobët me rritje ekonomike dhe zhvillim ekonomik, e cila është reflektuar me nivelin e ulët të bruto produktit të vendit, i cili vazhdon të jetë më i ulëti në Evropë.

“Nganjëherë krijohet përshtypja se normat e rritjes ekonomike prej 2-3 dhe 4%  janë të larta, por jo. Kosova e ka një nivel tejet të ulët të zhvillimit ekonomik dhe këto norma i quaj joserioze të rritjes ekonomike të cilat nuk e adresojnë asnjë problem të cilin e ka Kosova. Në rend të parë problemin e papunësisë që mbetet i njëjtë dhe tejet shqetësues. Pastaj rritja ekonomike vazhdon të servisohet kryesisht nga investimet publike, nga imputet e ekonomisë së patransformuar”, ka thënë Sadiku.

Bashkimi Evropian, sipas tij, e ka të qartë që Kosova ka nevojë që rritja ekonomike të influencohet nga investimet private, por thekson se konsumi është tejet ulët, eksporti është i vogël dhe është i pamjaftueshëm për ta transformuar ekonominë e Kosovës.

“Brengosës është mjedisi biznesor. Me këto reforma gjysmake Kosova nuk ka arritur që të krijojë një mjedis miqësor për investime. Shpesh ka ndodhur që kompanitë e mëdha strategjike janë tërhequr nga tenderët, nga privatizimet, sepse në momentin që të huajt ballafaqohen me deficitin ligjor, atëherë ata nuk e kthejnë kokën nga Kosova dhe kjo krijon një imazh të keq për vendin”, ka thënë Sadiku.

Ai thekson se Kosova tani do të sfidohet me të madhe me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe pritet që vitin e ardhshëm të identifikohen deficite edhe më serioze, duke pas parasysh që Kosova tani ka nevojë të ekspozohet me liberalizëm tregtar në Bashkimin Evropian në dy drejtime. Kosova, sipas tij, nuk ka kapacitete konkurruese që të bëjë garë që këtë liberalizim tregtarë ta shndërrojë për përfitime për ekonominë dhe qytetarët e saj.

“Nëse duam që t’i tejkalojmë këto deficite, Kosova duhet ta bëjë edhe një program qeverisës. Qeveria, në bazë të këtij raporti duhet ta korrigjojë dhe nëse është nevoja ta bëjë programin e ri ekonomik, sepse tani Bashkimi Evropian e ka një shikim të qartë për zhvillimin ekonomik në Kosovë. Pas këtyre mangësive qëndron shteti ligjor jo i fuqizuar. Ende nuk jemi në situatë që t’i kemi prioritetet e qarta dhe ato t’i shndërrojmë në shpenzime buxhetore”, ka thënë Sadiku.

Sa i përket standardeve evropiane, në Raportin e Progresit vlerësohet se Kosova është në fazën e hershme të shtrirjes në shumicën e fushave. Është bërë progres në prokurimin publik, por Kosova duhet të forcojë kapacitetin e organeve të saja të prokurimit publik.

Për sa i përket kontrollit financiar, është bërë progres i mirë, por duhen bërë përpjekje rrënjësore për të siguruar kontroll të shëndoshë të brendshëm financiar përgjatë administratës publike dhe në ndërmarrjet shtetërore. Raporti thotë se institucionet e Kosovës kanë demonstruar kapacitetin e tyre për të realizuar prioritetet politike, në veçanti për sa i përket përgatitjes së implementimit të MSA-së.

Kapaciteti mbikëqyrës i Bankës Qendrore të Kosovës është i mjaftueshëm. Megjithatë, nuk ka pasur progres në fushën e konkurrencës. Raporti thotë se zhvillimi bujqësor po pengohet nga produktiviteti i ulët. Mungesa e përgjithshme e interesimit në ambient ndikon negativisht në shëndetin publik dhe në cilësinë e jetës në Kosovë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sjane-befasuese-te-gjeturat-e-raportit-te-progresit-per-mungese-te-zhvillimit-ekonomik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala