Sipërmarrjet po largohen nga Shqipëria

Autori:Avdyl Pajaziti

Pas shqiptarëve të papunë e të varfër, po “emigron” edhe biznesi. Ajo që përfaqësues të biznesit të huaj dhe vendas e kishin paralajmëruar, po ndodh: taksat e larta në dy paketat fiskale të miratuara nga qeveria Rama po i largojnë investitorët drejt vendeve të tjera të ballkanit. Revista Monitor jep një pasqyrë të qartë të asaj që po ndodh me biznesin.

Kompania e prodhimit të mobilieve F.P.M sh.p.k. prej vitesh eksportonte mobilie në tregun amerikan. Prodhimet e saj realizoheshin në fabrikën përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Por, prej pak muajsh, ajo ka zhvendosur aktivitetin në një zonë të lirë në kufirin mes Serbisë dhe Rumanisë.

Sipërmarrësit thonë se janë të përjashtuar për pesë vitet e para nga taksat dhe kanë marrë një kapanon në gjendje të mirë, kundrejt vlerës 1 euro.

Ky është një ndër bizneset shqiptare që po zgjedh të ushtrojë aktivitetin ekonomik jashtë vendit, duke lënë kapanonin bosh e dhjetëra të papunë.

Mes atyre që po ikin (e këtu nuk po flasim për azilkërkues), janë edhe më të shumtë sipërmarrësit e huaj. Ata kanë mbyllur tërësisht përfaqësitë e tyre këtu, ose i kanë reduktuar ato në minimum.

Kompania farmaceutike GlaxoSmithKline ka bërë publik vendimin për të kufizuar përfaqësinë në Shqipëri. Në një njoftim zyrtar, thuhet se “në Shqipëri, forma e biznesit tonë do të ndryshojë ndërsa ne po shqyrtojmë modelin tonë të operimit. Kjo do të thotë se ne do të ndalojmë aktivitetet promocionale të GSK në Shqipëri, por do të vazhdojmë aktivitetet në lidhje me cilësinë, farmakovigjilencën, çështjet rregullatore dhe aksesin në treg”. Për fat të keq, kjo do të thotë që një shkurtim i stafit është i nevojshëm”. Vitin e kaluar, një prej përfaqësive më të mëdha të tregtisë së cigareve, vendosi të reduktojë praninë e saj në Shqipëri.

Vetë përfaqësuesit e këtyre kompanive nuk bëjnë komente, mbi arsyet specifike, apo faktorin kryesor që i ka çuar në këtë vendim, por përfaqësuesit e biznesit, i përcjellin këto zhvillime me nota negative. Sipas tyre, kjo është pasqyrë e një terreni të thyer ekonomik, ku gjërat përveçse të vështira, duken të pamundura për t’u realizuar. Përfaqësuesit e biznesit, të cilët nuk duan të dalin me emra, aq sa edhe vetë sipërmarrësit, tregojnë se ikja e investimeve nga Shqipëria ishte paralajmëruar që me fillimin e rritjes së taksave. Ata vërejnë se, ikjet e muajve të fundit nuk janë asgjë, përballë presionit që ka mes biznesit dhe planeve të tyre për t’u larguar. Ka sipërmarrje, veçanërisht në sektorin e riciklimit, që po vlerësojnë të transferohen jashtë që kur u mor vendimi për të mos importuar mbetje, vërejnë drejtuesit e shoqatave të biznesit.

Por ata theksojnë se shumë sipërmarrës që duan të largohen, pengohen nga mungesa e likuiditetit (si në nivel kursimesh, edhe në mundësi kredie). Tjetër pengesë është pasiguria e përgjithshme që karakterizon vendet pas krizës financiare ndërkombëtare. “Në këto kushte, askush nuk do të ishte i gatshëm të ndërmerrte një aventurë. Në periudha të vështira, streha jote është më e mira, ndaj largimet e kohëve të fundit mund të shpjegohen vetëm nga një dëshpërim i madh i biznesit ashtu si dhe vetë shqiptarëve”, thotë përfaqësuesi i një prej shoqatave të biznesit në vend.

Eksodi i sipërmarrjes që vitin e kaluar

Gjatë vitit 2014, sipas të dhënave nga bilanci i pagesave të Bankës së Shqipërisë, flukset dalëse të Investimeve të Huaja Direkte u rritën me 245% në raport me një vit më parë. Një gjurmë e drejtpërdrejtë e eksportit të sipërmarrjes. Kompanitë vendase dhe ato të huaja po preferojnë t’i investojnë jashtë fitimet e tyre, vërejnë ekonomistët.

Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë për vitin 2014, zëri mjete në Investimet Direkte, i cili nënkupton flukset dalëse të investimeve direkte arriti në 76 milionë euro, nga 22 milionë euro një vit më parë.

Sipas metodologjisë së Bankës së Shqipërisë, në këtë zë përfshihen investimet e kompanive shqiptare jashtë, ose huat që bijat në Shqipëri mund t’u kenë dhënë mëmave.

Bizneset kishin paralajmëruar që rritja e vazhdueshme e taksave, që po e bën vendin më pak atraktiv në rajon, barrierat administrative dhe mjedisi i paqëndrueshëm për të bërë biznes po i “detyronte” ata të transferonin kapitalin jashtë vendit. Më e dukshme kjo ka qenë për sipërmarrjet e ndërtimit, që po vuajnë jo vetëm maturimin e sektorit, por edhe bllokimin e lejeve të ndërtimit.

Emigrim i biznesit, e jo zgjerim

Vendosja e kompanive shqiptare jashtë vendit nuk po ndodh sot. Kur sektori i ndërtimit filloi të përballej me një kërkesë të ngopur në tregun e brendshëm, ndërtuesit (ende dinamikë) zgjodhën të investojnë në tregje të huaja. Flasim për rreth dhjetë vite më parë, kur ndërtues si Hajredin Fratari po ngrinte banesa në periferi të Romës, apo Fatos Pustina, i cili ndërtoi një kompleks të madh banimi në Sofje të Bullgarisë. Grupi Balfin, gjatë kësaj periudhe, zgjeroi investimet në rajon, duke ngritur në Shkup të Maqedonisë, qendrën tregtare “Skopje City Mall”.

Por, efektet e krizës globale përfshinë edhe shtetet lindore të Europës, e sipërmarrësit e rinj shqiptarë në Europë filluan të tërhiqen “në bazë”. Ndodhi pak a shumë ajo çfarë u vërejt edhe tek emigrantët. Periudha 2011-2013, shënoi kthimin më të madh të emigrantëve, pasi u gjendën të papunë në emigrim. Edhe ndërtuesit filluan të hasin vështirësi për shitjet e apartamenteve, si në periferi të Romës, edhe Bullgarisë. Por, mes investimeve shqiptare jashtë në kulmin e zgjerimit dhe investimeve aktuale është e vështirë të hiqet një paralele. Kompania e mobilieve F.P.M., nuk ka hapur një degë të saj në Serbi, por ka zhvendosur të gjithë aktivitetin atje.

Biznese e konsumatorë pesimistë

Si “Me një shpatë të madhe” në dorë, qeveria zgjodhi të rrisë taksat për dy vite rresht, e nga ana tjetër të reformojë disa sektorë. Një efekt të madh shterues, vlerësohet të kenë dhënë masat e marra në sektorin e energjisë.

Ekspertët e ekonomisë mendojnë se të dy këto hapa ishin kombinimi i gabuar, në kohën e gabuar. Masat shtrënguese erdhën pikërisht në një periudhë kur sipërmarrjet ishin lodhur nga blerjet e kufizuara prej vitesh. Një marrëdhënie e fortë klient-biznes, ku mirëqenia e të parit është kusht për mbarëvajtjen e të dytit. Dhe, në fakt, me gjithë përpjekjet për të rezistuar, bizneset janë “infektuar” nga pesimizmi i konsumatorëve.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të këtij viti, edhe sipërmarrësit janë bërë pesimistë për të ardhmen.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë ra 3.2 pikë përqindjeje, kjo u shkaktua kryesisht nga rënia e balancës së prodhimit (me 8.5 pikë përqindje). Në rënie shihet edhe gjendja e tyre financiare, ndërsa gjendja e inventarëve nuk ka ndryshuar.

BSH thekson gjithsesi, se me gjithë zhvillimet negative në dy tremujorët e fundit, niveli i treguesit qëndron mbi mesataren afatgjatë dhe mbi mesataren e periudhës 2008-2014.

Bazuar në vlerësimet e bizneseve, Banka vëren se, “situata ekonomike dhe gjendja e përgjithshme e firmës është vlerësuar e përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit 2015. Balancat përkatëse ranë me 6.7 dhe 14.1 pikë përqindje. Bizneset kanë vlerësuar në rënie si kërkesën e brendshme ashtu edhe kërkesën e jashtme”. Pritjet për tremujorin e dytë janë optimiste lidhur me gjendjen e përgjithshme të firmës, rritjen e eksporteve dhe me porositë e reja.

Prej kohësh, prodhueshmëria në vend vijon të ketë kosto të lartë. Niveli i ulët i shfrytëzimit të kapaciteteve është ulur më tej në fillim të vitit. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri është në nivelin 67.7%, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë. Në tremujorin e parë, ajo ishte rreth 4 pikë përqindje më e ulët se norma historike.

Besimi, i vlefshëm sa edhe investimet (sipas ekonomistëve), ra në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në ndërtim, pas rritjes graduale përgjatë vitit 2014, treguesi i besimit ra me 5.2 pikë përqindje. Niveli aktual i TBN-së qëndron afër mesatares historike. Në rënien e treguesit për këtë fillimviti ndikoi ulja e kërkesës dhe e prodhimit.

Në sektorin e shërbimeve, besimi ndërpreu prirjen rritëse në tremujorin e parë të vitit 2015 dhe ra me 2.4 pikë përqindje. Rënia u shkaktua nga përkeqësimi i balancës së gjendjes së përgjithshme të biznesit dhe të situatës financiare.

Në rënie rezulton edhe sektori i tregtisë. Ai ra me rreth 4 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2015. Sipas vrojtimit të Bankës, në këtë përkeqësim, ndikoi vlerësimi i përkeqësuar i bizneseve për gjendjen financiare të tyre si dhe për gjendjen e përgjithshme të biznesit.

Të gjitha këto zhvillime, bënë që situata e përgjithshme ekonomike në vend të vlerësohet negativisht. Treguesi i ndjesisë ekonomike ra 4.6 pikë në tremujorin e parë. “Kjo rënie frenoi prirjen rritëse të regjistruar që prej tremujorit të katërt të vitit 2013”, vëren BSH në vrojtimin e saj. Rënia e këtij treguesi në tremujorin e parë u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe nga rënia e besimit të konsumatorëve.

Treguesi i besimit të konsumatorëve ra me 2.7 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit, duke konfirmuar trendin rënës të nisur në tremujorin e kaluar. Rënia vjen kryesisht nga ulja e blerjeve të mëdha me 9.2 pikë përqindjeje. Por, në këtë përkeqësim, ndikuan edhe pritjet e konsumatorëve për situatën ekonomike dhe financiare në vend.

BSH vëren se, “konsumatorët e vlerësojnë situatën financiare dhe ekonomike në vend të përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit. Pritjet e tyre për nivelin e papunësisë në gjashtë muajt e ardhshëm janë pesimiste. Balanca u rrit me 1.1%, një pritje për rritje të papunësisë. Konsumatorët perceptojnë gjithashtu një kosto të rritur jetese, ndërsa balanca e kursimeve ka pësuar rënie të lehtë. Pritjet për inflacionin pas një viti u ulën në tremujorin e parë, përkatësisht në 1.4%, nga 1.8% që rezultonin tremujorin e mëparshëm. /Monitor/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sipermarrjet-po-largohen-nga-shqiperia/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala