Sindikata e re e Arsimit akuzon rëndë SBASHK-un

Autori:Avdyl Pajaziti

Sindikata e Arsimit dhe Kulturës e Kosovës (SAKK), në Kuvendin e parë zgjedhor, veç tjerash, ka bërë edhe zgjedhjen e kryetarit të kësaj sindikate, me ç’rast u zgjodh Ramadan Beqiri.

Këtë Kuvend, të cilin e udhëhoqi Kryesia e punës, kryesuar nga Musli Krasniqi – Alushi, e përshëndeti edhe nënkryetari i BSPK-së, Avni Hajdini, i cili, sipas një njoftimi për media të SAKK-së, e ndihmoi mjaftë shumë procesin e Kuvendit zgjedhor që të mos ketë lëshime juridike.

SAKK (Sindikata e Arsimit dhe Kulturës Kosovës) thotë se do të jetë sindikatë e re e reformave, e demokratizimit sindikal, e hapur për të gjithë, ndërsa ngre akuza për sindikatën tjetër SBASHK, të cilën e quan “sindikatë të uzurpuar nga një grup njerëzish gjithnjë të lidhur ngushtë me partitë që vijnë në pushtet”.

“Sindikata e deritashme e arsimit është sindikatë e korruptuar siç është edhe vetë pushteti”, potencohet në komunikatën e SAKK-së.

Sindikata e re thotë se është formuar në bazë të interesimit dhe kërkesës së shumë anëtarëve dhe veprimtarëve të devotshëm sindikalë, të mësimdhënësve të pakënaqur me SBASHK-un, raporton Koha.net.

“Kemi filluar nga fakti se në shtetin e ri të Kosovës në këto 16 vitet e fundit janë bërë ndryshime të mëdha politike-sociale, që janë manifestuar me aprovimin e shumë ligjeve: si ligji i punës, i Arsimit parauniversitar dhe universitar, ligji i pagave, ligji sindikal etj., pastaj nënshkrimi dhe mos zbatimi i kontratave kolektive të niveleve të ndryshme. Nga ana tjetër sindikata aktuale deri më tani nuk ka vepruar apo reaguar ndaj këtyre ndryshimeve ku janë prekur dhe cenuar dukshëm të drejtat e mësimdhënësve”, thotë SAKK.

SBASHK, sipas Sindikatës së re, thotë se ka vepruar vetëm në pasurimin e stafit udhëheqës të vetë, “ku ka keqpërdorur djersën e mësimdhënësve që ndajnë nga pagat e tyre”.

“Për keqpërdorimet dhe korrupsion e udhëheqësve të SBASHK-ut ne kemi njoftuar opinion e gjerë në disa publikime të mëhershme në media. Nisur nga kjo, kemi filluar me iniciativën dhe kemi themeluar Sindikatën e re të arsimit për të bërë reforma të thella dhe një veprim më ndryshe si deri me tani e jo vetëm me deklarata për të mashtruar anëtarësinë”, potencohet në komunikatën e SAKK-së.

Ndërkaq, sindikata e re që mëton mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të Arsimit dhe Kulturës në Kosovë, thotë se qëllimi parësor i kësaj sindikate është përparimi i pozitës së punëtorëve të arsimit, siguria për vendin e punës dhe kushtet e punës.

SAKK thotë se do të jetë oponencë kryesore e pushtetit me kërkesa të qarta e të qëndrueshme dhe me veprim aktiv sindikal, ndërsa kanë përmendur edhe objektivat që presin t’i realizojnë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/sindikata-e-re-e-arsimit-akuzon-rende-sbashk-un/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala