Si raportuan mediat ndërkombëtare për protestat në Prishtinë

Protestat e sotme të organizuara nga partitë opozitare, pas arrestimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi, nuk kanë mbetur pa u mbuluar edhe nga mediat më të rëndësishme ndërkombëtare, transmeton lajmi.net.
Rrjeti televiziv britanik BBC shkruan për këtë ngjarje. Me titullin “Protesta në Kosovë, objektivi kryesor i policisë deputeti Kurti”, thuhet se tentimi për të arrestuar deputetin Albin Kurti, çoi në një seri të protestave. Gjithashtu aty përmendet edhe kundërshtimi i opozitës ndaj marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë.
Në tekst, BBC tregon se si shtëpia e Kurtit është bastisur, ndërkaq thotë se deputetja tjetër, Donika Kadaj-Bujupi u arrestua, transmeton lajmi.net.
Edhe mediumi amerikan ABC News, ka raportuar për përleshjet e dhunshme nëpër rrugët e Prishtinës.
BBC raporton se si protestuesit e dhunshëm kanë hedhur gjësende të forta ndaj policisë dhe kanë demoluar edhe prona private. Po ashtu në tekst përmendet edhe granata e dorës e cila është gjetur në hapësirat e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Edhe agjencia Reuters ka përcjell ngjarjet që kanë ndodhur sot në Prishtinë.
“Trazirat thellojnë krizën për shkak të marrëveshjeve me Serbinë”, mban titulli i artikullit të Reuters, ku përshkruhet se si protestuesit kanë djegur koshat e mbeturinave, kanë hedhur gur dhe kanë djegur veturat zyrtare. Policia ndërkaq ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe madje ka përdorur edhe makinat e blinduara./lajmi.net
– See more at: http://lajmi.net/si-raportuan-mediat-nderkombetare-per-protestat-ne-prishtine/#sthash.26hi0Cl3.dpuf