Si i pastrojnë politikanët paratë ?

Politikanët janë të përfshirë në pastrimin e parave dhe kjo tashmë është evidentuar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, (DPPPP), e cila në raportin vjetor të 2014 zbardh një skemë se si, një politikan shqiptar ka pastruar para nga lindja e mesme në shumën 1 milion euro.
Nisur nga fakti se, shtetasi përfitues i fondeve ishte ekspozuar politikisht çështja iu nënshtrua një analize të hollësishme nga DPPPP në lidhje me arsyen e transferimit të fondeve, përdorimin e tyre, si dhe historikun e veprimeve financiare të personit.
DPPPP pohon se, nga analizimi i informacionit rezultoi se:
− Fondet e dërguara si donacione, në një pjesë të madhe kanalizoheshin nëpër llogaritë e tij personale dhe jo drejt destinacionit përfundimtar,
−Në vitin 2010 politikani kishte blerë kuotat e një shoqërie ‘C’ në vlerën 2 milionë lekë, të cilat i shiti pas një viti për një shumë të konsiderueshme,
− Kishte blerë një pasuri të paluajtshme me çmim 2.5 milionë euro së bashku me persona të tjerë të cilët jetonin në Lindjen e Mesme,
− Kishte depozituar mbi 500,000 euro me para në dorë në llogaritë e tij personale, si dhe të një shtetasi tjetër (shtetasi A), prej të cilës kishte blerë një apartament dhe
− Shtetasi A, ndërkohë kishte të depozituara në llogari mbi 150,000 euro, si dhe kishte investuar shuma të konsiderueshme për hapjen e një biznesi shërbimesh.
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, pohoi se e dërgoi rastin për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit, me dyshime për korrupsion, duke vënë theksin në faktin se, investimet e konsiderueshme në pasuri të paluajtshme dhe aktivitet biznesi nuk ishin të justifikuara nga burime të ligjshme. /Monitor/Telegrafi/