Si i ndërton tunelet karteli i drogës i El Chapo-s

Autori:Zekirja Shabani

Ora 8 e 52 minuta e mbrëmjes, Joakin Guzman Loera, mbreti i drogës i njohur si El Chapo, i shtritë në krevatin e qelisë së tij në Altiplano, burgu i sigurisë shumë të lartë në Meksikë. Pamje nga kamerat e sigurisë tregojnë një ekran të vogël që rrezaton pranë një tavoline- të burgosurit nuk lejohet të mbajnë celularë, por ky rregull nuk zbatohet gjithnjë.

Guzman ndërron këpucët, shkon te dushi në qoshe të qelisë dhe përkulet pas një mase të ngritur betoni ku nuk kapet nga kamera. Gjashtë sekonda më vonë ai ia ka mbathur. Një e vrimë rreth 120 centimetra katror është hapur në dysheme. Sipas komisionerit të sigurisë kombëtare të Meksikës, Guzman u kacavor në një të çarë dhe zbriti një shkallare duke hyrë në një tunel 4921 këmbë të gjatë (1500 metra). Llamba ndriçuese vareshin në pjesën e sipërme të tunelit në një tub që sillte ajër të pastër brenda. Në dyshemenë e tunelit ishin vendosur shina metalike për të mundësuar lëvizjen e një makine ad hoc- një lloj lokomotive që ngjan me një motoçikletë të vogël- nga hyrja në dalje.

Muret me gurë gri, të larta rreth 75 centimetra, ishin shenjuar me shigjeta dhe rrezellenin nga dritat; Guzman iu ktheu shpinën dhe iku.  Tuneli përfundonte pranë një shtëpie të vogël me blloqe në fushë të hapur.  Teksa Guzman u kacavor në një shkallare druri për të dalë në sipërfaqe, ai pa provat e asaj që dukej se ishte një projekt inxhinierik njëmujor: një gjenerator që kishte furnizuar me energji mjetet që përdornin punëtorët; një transportier elektrik të fuqishëm; gallona me vajisës hidraulik; kavo dhe rrjeta çeliku.

Metoda e arratisjes së Guzmanit nuk ka habitur askënd. Vitin e kaluar, në Culiacan, ai iu iku marinsave meksikanë duke u zhdukur në një rrjet kalimesh nëntokësore që lidhnin shtatë shtëpi. Ai nuk i shpiku tunelet e kontrabandës- vjedhës bankash, grabitës rumi dhe guerilas i kanë përdorur ato për dekada- por ndërmarrja e tij kriminale Sinaloa, karteli i drogës, ndërtoi narkotunelin e parë ndërkufitar më 1989.

Që atëherë Sinaloa e ka përsosur artin e ndërtimeve nëntokësore dhe i ka përdorur tunelet në mënyrë më efikase se  çdo grup tjetër kriminal në histori. Në  çerekshekullin e kaluar, oficerët kanë zbuluar 181 kalime të paligjshme poshtë kufirit Meksikë-SHBA. Shumë prej tyre kanë qenë të shkurtra, kanale të ngushta, të mjaftueshme sa për të kaluar në to një person duke u zvarritur. Sinaloa në të kundërt u specializua në mrekullitë infrastrukturore që agjentët federal i quajnë super-tunele.

Agjentët vlerësojnë se një super-tunel i vetëm kërkon muaj dhe më shumë se një milion dollarë për t’u ndërtuar. Shumë prej tyre përfshijnë ashensorë, drita elektrike, ventilatorë ajrimi dhe hyrje e dalje  të fshehura në mënyrë të zgjuar. Ato mund të shkojnë thellë deri në 70 këmbë (21 metra) dhe janë të larta sa në to mund të vrapojë një i rritur.

Ditët e sotme shumë nga tunelet e Sinaloa-s përdoren për të kaluar drogë përmes kufirit nga Garrita de Otay, një lagje industrial në Tijuana-n veriore, në Otay Mesa një lagje e ngjashme në jug të San Diegos. Otay Mesa që kufizohet në veri nga aeroporti bashkiak i Brown Field-it dhe në jug nga Meksika, përfshin rrugë të mëdha,  qendra tregtare dhe disa magazina, duke i bërë ato të vështira për t’i pikasur. Sasia e magazinave dhe sipërfaqet e tyre në Otay Mesa është katërfishuar që nga vitet ‘90 dhe zgjerimi ka qenë po kaq dinamik edhe në Garrita de Otay. Makina ngarkimi, vinça, buldozerë tërheqin pak vëmendje. Kamionët e kartelit futen në vendet e ngarkimit dhe droga shkon në veri, në pikat e shpërndarjes. Ka tri pika zyrtare kalimi të kufirit pranë Otay Mesa-s; njëra për makinat tregtare është brenda zonës industriale.

“Kjo ka krijuar një ambient të shkëlqyer për kontrabandistët”, na thotë një agjent amerikan. “E gjithë kjo zonë iu përket atyre. ”Qendra agjentë federalë –  Patrullat kufitare, Hetimi i Sigurisë Kombëtare, Administrata e Hetimit të Drogës dhe zyrtarë të Emigracionit dhe Doganave- punojnë në një çift godinash në anë të distriktit të Otay Mesa-s. Mes tyre janë dhjetë anëtarë të Task-Forcës për Tunele në San Diego, një grup i shumë agjencive i krijuar në 2003.

Agjentët kanë gjetur rreth dy tunele në vit mesatarisht, por shumë prej njerëzve që kanë arrestuar kanë qenë operativë të vegjël të Sinaloa-s si shoferë kamionësh dhe roje magazinash. Informacionet brenda kartelit janë të ndara, kështu që edhe kur kapen punëtorë dhe joshen me anë të marrëveshjeve të mira, ata nuk kanë mundësi të thonë ndonjë gjë të madhe pasi nuk dinë gjë.

“Ka shumë pikëpyetje”, – i tha Wall Street Journal më 2003,  Tim Durst, një ish-supervizor i Task-Forcës për Tunelet. “Cilat janë teknikat e tyre? Si i ndërtojnë ata këto gjëra kaq mirë?” Hetimet e kohëve të fundit- përfshirë një rast të një njeriu që mendohet se ka qenë një menaxher e rangut të lartë për tunelet i Sinaloa-s – kanë dhënë disa përgjigje.

Sherri Hobson, një prokuror federal në San Diego më tha: “Mendoj se është një grup shumë i vogël anëtarësh elitë të kartelit që e bëjnë këtë. Kjo është një punë mjaft e sofistikuar. Shumë njerëz mendojnë se ti ke një kazmë dhe gërmon. Nuk është kjo mënyra sesi bëhet kjo punë.” Në dhjetor të 2012, një nëntëmbëdhjetëvjeçar i quajtur Fernando shkoi te “Mama Mia”, një piceri në një qendër tregtare në Tijuana dhe kërkoi të aplikojë për punë. Teksa po plotësonte formularin, një i huaj hyri në lokal. Sipas deklaratave të mbledhura më vonë nga autoritetet meksikane, njeriu i dha Fernandos numrin e tij të telefonit dhe e pyeti nëse ai donte punë për të pastruar një magazinë. Fernando nuk mori përgjigje nga Mama Mia. I dëshpëruar për punë, ai mori në telefon të huajin dhe e takoi atë në qendrën tregtare. Ai i ofroi shumë para- 1200 pesos (rreth 75 dollarë) në javë- dhe Fernando ra dakord të shkojë me të për të parë vendin e punës.

Nga qendra tregtare, një autostradë të çon në veri, kalon muret e betonit të shkruara me grafit, që rrethojnë aeroportin e Tijuana-s për nga rruga për në Garita de Otay, ku kamionë me 18 rrota ngrenë shumë pluhur që s’bie kurrë në tokë. Magazinat iu shëmbëllejnë kutive të kartonit. Ata ndaluan përballë një strukture pa shenjë dalluese veç adresës së rrugës, të shkruar me të zezë. Brenda, pas një dere rrotulluese gjendej një vend ngarkimi i madh mjaftueshëm për një kamion. Brenda gjendej një dhomë magazinimi me mure blloqesh. Fernando nuk pa askënd tjetër në dhomë-veç një vrimë të thellë dhe thasë të pistë.

Njeriu i tha Fernandos se gjërat kishin ndryshuar: ai do të gërmonte një tunel, nuk do të pastronte një magazinë. Në qoftë se do të përpiqej të ikte, ai dhe familja e tij do të vriteshin. Rreth kësaj kohe, 16 persona të tjerë ranë në të njëjtin kurth. Përgjatë Tijuana-s, në stacionet e autobusëve dhe në cepat e rrugëve, ata josheshin për në magazine nga perspektiva e punës së përhershme. Disa thanë se atyre iu është premtuar kalim i sigurt në kufi pasi të punonin disa orë në ndërtim.

Shumica ishin punëtorë nga zonat e brendshme rurale të Meksikës që kishin ardhur në veri për të kërkuar punë. Sipas tyre, mbikëqyrësi i projektit, që quhej Karlos, ishte në të tridhjetat, me mustaqe të imëta dhe mbante një kapelë bejsbolli. Karlos i ndau njerëzit në dy grupe. Fernando punonte nga ora 6 e mëngjesit deri në 18:00 të mbrëmjes, natën ai flinte në magazinë me pjesën tjetër të ekipit. Karlos iu sillte punëtorëve ushqime dhe kujdesej që askush të mos ikte.

Nga një hyrje në dyshemenë e dhomës së magazinimit, një bosht hekuri zbriste rreth 35 këmbë në një dhomë të vogël ku ishin vendosur gurë të vegjël sa një grusht. Shumicën e kohës pesë apo gjashtë burra punonin brenda saj, duke e zgjatur atë drejt një tuneli e duke gërmuar në tokë  me anë të spatulave elektrike dhe duke mbushur çantat e shpinës me dhe e gurë.

Tre punëtorë të tjerë nxirrnin jashtë çantat duke përdorur një platformë që shërbente si ashensor-një kafaz i gjerë metalik i lidhur me një sistem elektrik. Çantat më pas vendoseshin mbi paleta druri. Shpesh me Karlosin bashkoheshin edhe mbikëqyrës të tjerë, që mbanin maska skiç veshur. Ata kërcënonin se do të rrihnin punëtorët nëse përparimi drejt veriut ngadalësohej.

Punëtorët përparonin rreth pesë metra në ditë. Me këtë ritëm ata do të kalonin kufirin për tre muaj dhe do të arrinin në Otay Mesa disa javë më pas. Fotot tregonin se tavani i tunelit ishte i harkuar lehtë, një karakteristikë standarde e tuneleve të Sinaloa-s, që ndihmon të shpërndahet presioni i tokës dhe parandalon shembjen. Rrezja e kuqe e një lazeri që përshkonte ajrin e pluhurosur në qendër të kalimit i mbante gërmuesit në drejtimin e duhur.

Në hapësirat e lagështa dhe të kufizuara oksigjeni mund të zbresë në nivele fatale. Me anë të kapëseve punëtorët fiksojnë një tub plastik në tavanin e tunelit, i cili bën ventilimin e ajrit. Ata kanë dy makina me zinxhirë që çojnë dheun dhe gurët tek ashensori. Muri ruan formën e tij gjatë kohës që punohet, por rreziku është gjithnjë i pranishëm.

Historia e gërmimeve nëntokësore nga Egjipti i lashtë tek minierat e qymyrit në Apalashe është e mbushur plot me tragjedi- një goditje me majën e kazmës mund të lëshojë një lumë uji, një lëmsh të zjarrtë gazi metan apo të shembë mjaftueshëm dhe sa të të vrasë.

Në librin “Një histori për tunelet”, historiani Patrick Beaver shkruan se edhe në messhekullin e 20-të për  çdo kilometër tunel të hapur ka patur një të vdekur. Rreziku më i madh për gërmuesit e Tijuana-s është uji. Në rajonin Otay Mesa prania e tij është shumë e vështirë të parashikohet. “Një vit ti mund të ndeshësh sasi shumë të mëdha uji”, thotë një agjent amerikan që ekzaminon tunelet në zonë. “Pastaj, në qoftë se do të shkosh një milje në lindje apo në perëndim, ti mund të mos gjesh fare ujë”. Gërmuesit nuk kanë zgjidhje veçse të gërmojnë. Ata ngjiten një shkallë lart si një masë parandaluese: në qoftë se del ujë, ai do të ikë poshtë në origjinë të tunelit nga ku do të pompohet.

Në shkurt të 2013, ushtria meksikane, sulmoi magazinën në Tijuana. Personi i parë që takuan ishte një 25 vjeçar i befasuar, i quajtur Juan Hose, që ishte në banjë, me fytyrën të pluhurosur. Pranë tij ishin dy të tjerë që nxirrnin çanta me dhe’ nga ashensori. Teksa ushtarët po bisedonin me ta, katër të tjerë qëndronin në dhomë duke pyetur se pse po vonohej ashensori. Të gjithë punonjësit u morën në pyetje, por ata thanë se nuk kishin dijeni për drogën dhe kontrabandën.

Karlosi mund të kishte qenë i aftë t’i thoshte policisë më shumë, por sipas punëtorëve, ai kishte ikur nga godina 20 minuta më parë. Bazuar në vendndodhjen dhe në mënyrën sesi po ndërtohet, policia e mori me mend se bëhej fjalë për Sinaloa-n, por nuk bënë më arrestime.

Fernando dhe gërmuesit e tjerë u dërguan në burgun e La Mesa-s rreth katër milje nga magazine. Ku dhe gjenden akoma. Ata mund të kenë pasur fat që u arrestuan. Joseph Di Meglio, shefi i Task-Forcës për Tunelet, më tha se kur një tunel përfundon, gërmuesit dërgohen me forcë në një projekt tjetër. Herë të tjera, tha ai, “karteli i nxjerr jashtë, ti e di, dhe shpëton prej tyre”. Guzman e gjeti kartelin e Sinaloa-s në mes të viteve ‘80. Nga fundi i dekadës, organizata Arellano Felix kontrollonte kufirin pranë Tijuana-s. Guzman mori në kontroll rrugët e kontrabandës deri tutje në lindje, në Arizona.

Ai punësoi pilotë për të marrë ngarkesa me kokainë nga Kolumbia dhe sjellë ato në Meksikë. Droga ngarkohej në furgonë të përshtatur me dysheme false dhe çohej në Douglas, Arizona dhe nga aty në Los Angeles. Duke përdorur këtë metodë, Guzman qe i aftë të kontrabandonte tre tonë kokainë në muaj.

Një nga njerëzit afër Guzman ishte Felipe  De Hesus Corona Verbera, një i diplomuar në vitin 1980 në universitetin e Guadalaharës për arkitekturë, që ngiste një Chrysler New Yorker dhe vishte kostume elegante. Corona Verbera vizitoi njëra pas tjetrës prona të zotëruara nga karteli: një magazinë në Guanajuato; një supermarket në Guadalahara; një vilë fshati ku Guzman mbante luanë, arinj dhe krokodilë. Ai dhe Guzman dukej se ishin shokë të ngushtë. Miguel Angel Martinez, një anëtar i kartelit u tha më vonë prokurorëve amerikanë se Corona Verbera ishte personi i vetëm që kishte dëgjuar t’i drejtohej Guzmanit  me përemrin ti; gjithkush tjetër përdorte formë tjetër.

Në 1989, Corona Verbera, me fëmijët dhe gruan e tij, lëvizi në një shtëpi në Rrugën 666, në Douglas. Ai punësoi një kontraktor lokal, William Woods, për të ndërtuar një verandë të bukur pranë shtëpisë. Ai e punësoi gjithashtu Woods-in për një projekt më të madh; një magazinë 200 metër katror do të ndërtohej pranë kufirit meksikan.

Skicat dukeshin profesionale, por shpejt dolën problem. Corona Verbera tha se ndërtesa do të përdorej si lavazh për kamionë. Planet e tij kërkonin të hapeshin kanale dranazhuese, por sipas Alberto Romeros, një punëtor i të atyshëm, punimet nuk të çonin tek dranazhime funksionale. Dhe e pyeti Corona Verberan për këtë. “Ai tha se unë nuk kam të bëj fare me këtë, duhet të mbyllja gojën dhe të vazhdoja”, thotë Romero.

Një natë, pranë një vendi pune aty, pak në jug të kufirit, Romero pa 20 punëtorë që dukej se ishin nga zonat rurale të Meksikës, të cilët shtynin platforma me rrota në errësirë. Brenda pak muajve, karteli ndërtoi supertunelin e parë.

Ai niste në një shtëpi të zotëruar nga Sinaloa në Agua Prieta, një qytet në kufirin meksikan dhe përfundonte rreth 300 këmbë larg në magazinën në Douglas. Në shtëpinë në Agua Prieta, mënyra e vetme për të hyrë në tunel ishte të rrotulloje një rubinet uji jashtë derës; ky vinte në punë një sistem hidraulik që ngrinte një tavolinë bilardoje dhe ekspozonte një shkallë për në tunel. Bizneset e  Sinaloa-s nisën të zgjerohen me shpejtësi.

“Në qoftë se arrinin tri aeroplanë në javë, tani arrinin dhjetë”, kujton Martinez. Partnerët kolumbianë të Guzman nisën ta quajnë atë El Rapido sepse, sipas Martinez, “para se të arrinin aeroplanët sërish në Kolumbi, në kthim, kokaina kishte arritur në Los Angeles.” Guzman i tha Martinez se “Corona bëri një tunel të shkëlqyer. Thuaju atyre të sjellin të gjithë drogën që mund të sjellin”.

Agjentët e zbatimit të ligjit mësuan për tunelin nga informatorë të besueshëm. Në maj të vitit 1990, një skuadër sulmoi shtëpinë në Agua Prieta. Në dhomën e lojës, Terry Kirkpatrick, një agjent doganash, lëvizi tavolinën e bilardos dhe largoi tapetin duke zbuluar dyshemenë. Ai përdori një çekiç për të thyer betonin. Poshtë betonit gjendej një dhomë më e gjerë sesa dhoma e lojës.

Më vonë, një tjetër agjent lëvizi rubinetin duke bërë të mundur ngritjen e betonit lart teksa agjentët po shihnin të shtangur. Pas kontrollit në shtëpi, Corona Verbera dhe familja e tij ikën në Meksikë. Në vend të qëndrimit në një kafe të sigurt në një shtëpi në Meksiko City, Corona Verbera u largua nga qyteti për të qenë me familjen e tij në Guadalahara. Sipas Martinez, Guzman e mohoi shokun e tij me një mallkim të vrazhdë: “le të q….” Corona Verbera u arrestua dhe ekstradua për në SHBA.

Dy muaj pasi u zbulua tuneli, një grup të dyshuarish të Sinaloa-s u arrestuan. Dy prej tyre e çuan Kirkpatrick-un dhe agjentët e tjerë rreth 30 milje jashtë Agua Prietas dhe i treguan një varr masiv. Këtu thanë ata, janë gërmuesit  që ndërtuan tunelin për në Arizona.

Ndërkohë, Sinaloa po fitonte terren ngadalë pranë Tijuana-s. Pas vitit 1990, Guzman u fokusua tek operacionet mbitokësore, duke kontrabanduar drogë brenda kavanozave me spec djegës. Por në 1992, karteli pagoi 1.1 milion dollarë për një magazinë në Otay Mesa. Shumë shpejt projekti i tij për supertunelin e dytë dhe të parin në bregun perëndimor nisi të zbatohet. Toka pranë Otay Mesa është një përzierje hiri vullkanik, fragmentesh silici dhe balte.

Pavarësisht nëse karteli i Sinaloas e ndërton apo jo tunelin, rajoni është një vend i mirë gjeologjik për të ndërtuar tunele; pak milje nga perëndimi, toka është ranore; në lindje ku malet San Isidro takojnë kufirin, nëntoka është më e fortë dhe ka më shumë presion. Në Otay Mesa, toka është e butë mjaftueshëm për t’u gërmuar me dorë por edhe e fortë mjaftueshëm sa muret e tuneleve të mos shemben. Shpesh ato nuk duan as mbajtëse druri apo betoni.

Në 1993, organizata Arellano Felix vrau kardinalin Juan Hesus Posadas Ocampo, duke e marrë atë gabimisht për Guzmanin. Kjo i hapi rrugë një gjuetie njerëzore që kulmoi me arrestimin e Guzman-it (dhe me arratisjen e tij të parë nga burgu). Gjatë kësaj gjuetie, agjentët zbuluan tunelin kalifornian të Sinaloa-s. Ai ishte rreth katër herë më i gjatë se sa tuneli i Douglasit. Në shtyp, zyrtarët e  zbatimit të ligjit mahnitën me ndriçimin sistemin e tij të ventilimit dhe me dyshemenë e shtruar me beton që lejonte makinat e vogla të ecnin lirshëm. Asgjë si ai nuk ishte ndërtuar më parë.

“Unë isha i impresionuar nga tuneli i Douglasit, por ky është Taj Mahali i tuneleve”, – i tha Los Angels Times-it një agjent doganash. Terry Kirkjpatrick më tha se ai ishte një thirrje për zgjim. Task-Forca e Tuneleve në San Diego zotëron dy pajisje të tipit radar që depërtojnë në nëntokë.

Makinat lëshojnë sinjale elektromagnetike thellë në nëntokë dhe një ekran LCD tregon valët teksa ato kthehen rikoshet në sipërfaqe. Agjentët nuk i përdorin shpesh këto pajisje sepse nuk janë shumë efektive. Sipas Steve Sloan, një gjeofizikan që ka studiuar pikasjen e tuneleve, toka heterogjene pranë Otay Mesa-s krijon një zhurmë të brendshme.

Për dekada tunelet kanë sfiduar kapjen nga satelitët, sensorët e lëvizshëm dhe sistemet imazherike termale. Gjatë luftës në Vietnam, kur vietkongët përdornin kalimet nëntokësore si tuneli Cu Chi për të kryer sulme të befasishme, ushtria amerikane nuk kishte teknologji për të zbuluar sulmin, kështu që nuk kishte zgjidhje veçse të dërgonte këmbësorët -“minjtë e tuneleve”- në misione të rrezikshme kërkimi dhe shkatërrimi. Kërkimi serioz për tunelet nisi në vitet 70, pasi shërbimet e inteligjencës treguan se Kim II Sung, presidenti i Koresë së Veriut, kishte gërmuar më shumë se 20 tunele përgjatë kufirit me Korenë e Jugut. Agjencia e projekteve të avancuara të mbrojtjes u përpoq të gjejë teknologji të përshtatshme duke përdorur valët elektromagnetike dhe sizmike por më kot.

Në vitin 2005, qeveria amerikane financoi Iniciativën për Gjetjen e Tuneleve, e cila rekrutoi akademikë, specialistë të industrisë dhe inxhinierë të ushtrisë për të zbuluar gërmimet përgjatë kufirit. “Dukej si një problem shumë i thjeshtë”, thotë një nga gjeofizikanët që punoi në këtë iniciativë, Nedra Bonal.

“Ti ke një zgavër nën tokë, dhe unë mendoj se do të shoh të dhënat sizmike dhe kaq do të jetë kjo punë”. Por sipas një raporti të qeverisë, propozimet jepnin “sasi të madhe të dhënash dhe alarme false në shkallë të lartë”.

Kështu, agjentët e patrullimit të Task-Forcës për Tunelet në Otay Mesa kontrollojnë më këmbë. Ligji i ndaloi ata për të kontrolluar në magazine rastësisht, pa një shkak të qartë; në vend të kësaj ata trokasin në derë dhe iu kërkojnë punëtorëve të tregojnë për gjëra të dyshimta.

Në mars 2010, hetuesit e Departamentit të Sigurisë Kombëtare nisën të dëgjonin thirrjet e një operativi të nivelit të mesëm të Sinaloa-s që përdorte emrin Enrique. Ai dhe operativë të tjerë përdornin emra të ndryshëm për bosët e tyre. Dikush që ata e quanin Kirino, duket se ishte përgjegjës për një projekt të ri tuneli. Njeriu foli edhe për Primo-n. “Primo është shumë i zemëruar tani”, thotë Enrique. “Dua të them, askush nuk mund të flasë me të”. Të tjerë emra si Garanon, Grenudo, El Vejo- duket se iu referohen bosëve të tjerë. Agjentët besojnë se tunele të ndryshme janë ndërtuar nga celula që janë të lidhura me Sinaloa-n, por që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Në 18 tetor të 2010 autoritetet meksikane kapën njëqind e tridhjetë e katër tonë marijuanë në një magazinë në Tijuana, rreth dy milje larg kufirit. Ishte sasia më e madhe në historinë e Meksikës.

Sasi të mëdha janë kapur vazhdimisht dhe në tunele të ndryshme. Pas marijuanës së kapur në tetor hetuesit dëgjuan përgjimet telefonike që tregonin se dy supertunele ishin duke u ndërtuar dhe se njëri prej tyre drejtohej nga Kirino. Sa më shumë që dëgjonin për Kirinon, agjentët bindeshin se ai ishte një menaxher mjaft i zgjuar dhe vigjilent. Në vitin 2012 policia meksikane arrestoi Kirinon në Zapopan, një zonë periferike e Guadalaharës. Emri i tij ishte Jose Sanchez- Villabobos. Ai ishte 49 vjeç. Ai ishte personi përgjegjës për financat në Sinaloa. Ai ishte edhe një ndër personat që mbikëqyrte ndërtimin e super-tuneleve. Ndërtimi i tuneleve vazhdon të perfeksionohet dhe rasti i fundit e dëshmon këtë.

/New Yorker/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/si-i-nderton-tunelet-karteli-i-droges-i-el-chapo-s/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala