Si dështoi Millosheviçi për të dëbuar shqiptarët, sipas Stjepan Mesiç

Autori:Avdyl Pajaziti

Si është shkatërruar Jugosllavia” është titulli i librit që solli në Tiranë, Stjepan Mesiç, një nga politikanët që prej vitesh “luftoi” për paqen në rajonin e Ballkanit dhe për shpalljen të pavarur nga Serbia të shtetit të Kosovës.

Ish-presidenti i Kroacisë për dy mandate gjatë viteve 2000- 2010, Mesiç solli në një libër tashmë të përkthyer edhe në shqip të gjitha kujtimet e tij mbi rënien e ish- Jugosllavisë.

Në ambientet e Universitetit Evropian të Tiranës, Mesiç mblodhi rreth vetes figura politike të dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë.

Ish-presidentët Alfred Moisiu, Fatmir Sejdiu, Bamir Topi ishin pjesë e promovimit të librit të ish-presidentit kroat.

Në një prezantim të shkurtër të rrjedhës kronologjike të ngjarjeve autori risolli në vëmendje copëza nga ditari i tij për mënyrën sesi ishin organizuar ish-republikat Jugosllave në kohën e Titos dhe politikat diktatoriale të Sllobodan Millosheviçit për të krijuar Serbinë e Madhe.

“Unë me anën e këtij libri dua të kujtoj se çfarë ka ndodhur në ish-Jugosllavinë e kohës. Jugosllavia nuk ka qenë aq e izoluar sa Shqipëria. Ajo përbëhej nga 6 republika dhe 2 krahina autonome. Ajo mbahej nga tri elemente që përbënin shtetin, Tito me karizmën e vet, Partia Komuniste si parti e vetme dhe ushtria. Kjo e fundit dëgjonte vetëm Titon dhe partinë. Tito vdiq, partia u shkatërrua. Në krye të Serbisë erdhi Sllobodan Millosheviçi, i cili nuk donte as federatë, as konfederatë, vetëm Serbinë e madhe”, tha ish- presidenti kroat Mesiç.

Në bashkëbisedim e sipër mes kujtimit të situatave të tensionuara të kohës dhe batutave rreth realitetit, Mesiç shprehet se ka “risjellë” në jetë një pjesë të shënimeve nga ditari personal, nga koha kur ka qenë, aq sa i është dhënë mundësia të ishte, president i kolektivit të asaj bashkësie popujsh dhe pakicash kombëtare.

Ai erdhi në kryesi të Presidencës Jugosllave pas zgjedhjeve pluraliste të vitit 1990 në Republikën e Kroacisë.

Në këtë kohë, kryesia e Jugosllavisë akoma funksiononte si organ kolektiv, ku 8 anëtarët e saj delegoheshin nga Kuvendet e njësive federale.

Në këtë ditar gjithçka flet për periudhën 15 maj 1990 – 15 maj 1992, kur republikës së Kroacisë i takonte posti i zëvendëskryetarit dhe më pas edhe kryetarit të shtetit.

Plani i Millosheviçit për Kosovën

Në librin e tij Mesiç u kushton një vend edhe shqiptarëve të Kosovës, duke kujtuar planin e Sllobodan Millosheviçit për largimin e shqiptarëve nga trojet e Kosovës dhe zëvendësimin e tyre me serbë.

“Millosheviçi donte vetëm Serbinë e madhe dhe etnike. Ai donte të bashkonte Kroacinë me Bosnjën së bashku me Malin e Zi. Ndërsa për sa i përket shqiptarëve të Kosovës dëshironte t’i largonte nga trojet e tyre dhe t’i popullonte me qytetarë serbë. Por që të merreshe vesh me Millosheviçin ishte e pamundur, ndaj alternativa e vetme ishte që ta ndaheshim dhe të shihnim për vetëvendosje.

Millosheviçi nga ana e tij mashtronte Perëndimin duke u shprehur se do më të mirë për të gjitha shtetet e Jugosllavisë.

Serbëve u thoshte se do të jetoni më së miri në një shtet, por kjo ishte një gënjeshtër pasi ata jetonin në Serbi, në Kroaci, në Bosnjë dhe në shtete të tjera, ndaj për këtë qëllim ai u thoshte rrëmbeni armët, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jetojmë të gjithë të bashkuar.

Por në këtë pikë pati një shpërbërje të ushtrisë pas daljes prej saj të kroatëve, boshnjakëve, sllovenëve dhe shqiptarëve.

Ideja e Millosheviçit ishte që të largonte rreth 250 mijë serbë nga shtëpitë e tyre për t’i vendosur në Kosovë. Për këtë qëllim ai e ndaloi autonominë e Kosovës, të gjithë shqiptarët që ishin në funksion të autonomisë i hoqi. Plani i tij ishte që gjithë shqiptarët e Kosovës që do të zboheshin nga trojet e tyre, një pjesë do të vendoseshin në Maqedoni, ndërsa pjesa tjetër do të shpërnguleshin në Shqipëri”, shprehet ish- presidenti kroat.

Sipas Millosheviçit me dëbimin e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre, do të krijohej një situatë destabiliteti edhe në vendet ku ata do të “emigronin” si në Maqedoni apo Shqipëri.

Por në fund gjithçka përfundoi në një dështim, me nisjen edhe të një lufte të armatosur.

“Sipas tij, këta 2 milionë shqiptarë që do të largoheshin nga Kosova do të krijonin një situatë destabilizimi si në Maqedoni edhe në Shqipëri. Millosheviçi mendonte si ishte personi i duhur për rajonin dhe Perëndimi do ta lejonte që të ushtronte “funksionin” e tij për të krijuar një situatë “paqeje” si në Shqipëri edhe në Maqedoni. Mirëpo plani i Millosheviçit dështoi. Kosovarët u bashkuan, formuan UÇK-në dhe kundërshtuan me luftë regjimin e tij. Serbët nuk dëshironin që të shpërnguleshin në Kosovë, shqiptarët nga ana tjetër nuk dëshironin të largoheshin nga trojet e tyre në Kosovë dhe plani i Millosheviçit për të krijuar Serbinë e madhe nuk u realizua. Si përfundim gjatë luftës mbetën të vdekur qindra mijëra banorë, të plagosur akoma më shumë, por kufijtë nuk lëvizën asnjë milimetër.

Fjalimi

Ka serbë që ende mendojnë për Serbinë e Madhe Duke folur për arsyet që çuan në luftë Serbinë me shqiptarët e Kosovës,

Stipe Mesiç thekson se “oreksi” serb për të zgjeruar territoret solli si pasojë luftën.

“Shtrohet pyeta përse u desh kjo luftë? Serbia kishte interesat e veta për të hapur kufijtë. “Kur erdhi në pushtet Qemal Ataturku gjeneralët i kërkuan që të zgjeronte perandorinë më gjerë në Azi, por ai u përgjigj të dashur qytetarë ju fatin tuaj duhet ta kërkoni brenda kufijve dhe jo jashtë saj. Këtë gjë askush nuk ua tha në Serbi. Fatkeqësisht edhe sot në Serbi ka njerëz që mendojnë se Serbia mundet dhe duhet t’i zgjerojë kufijtë e saj”, theksoi Mesiç.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/si-deshtoi-milloshevici-per-te-debuar-shqiptaret-sipas-stjepan-mesic/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala