Shyqyri Haxha shpenzoi afër 140 mijë euro për qira të banesës dhe udhëtime

Autori:Avdyl Pajaziti

Ish drejtori i PTK-së Shyqyri Haxha ishte dorëshlirë në harxhimin e parave të shtetit.

Haxha sa ishte drejtor i PTK-së kishte paguar qiranë e banesës në Prishtinë afër 2 mijë euro. Indeksonline posedon dëshmi ku Haxha kishte paguar nga buxheti i kompanisë publike 65 mijë euro qira të banesës ku ai jetonte në kohën sa ishte drejtor.

“Nga viti 2009 deri më 2011, Haxha ka paguar 65 mijë euro qira të banesës në Prishtinë”, thuhet në dëshminë që e ka siguruar Indeksonline.

Haxha nuk ishte ndalur me kaq. Ai kishte paguar nga buxheti i PTK-së rreth 70 mijë euro për udhëtime kryesisht jashtë vendit. Vendi i pëlqyer i Haxhës ishte kryeqyteti i Anglisë, Londra, ku edhe e kishte familjen.

“Familja e Haxhës jetonte në Londër, ndërsa ai shpenzoi 70 mijë euro për udhëtimet kryesisht në Londër, ku e kishte familjen”, ka thënë një burim i Indeksonline brenda PTK-së, që nuk ka dashur t’i përmendej emri.

“Qëndrimi i Haxhës në Londër ka qenë kryesisht 1 javor deri në 10 ditë, por edhe më tepër”, ka saktësuar ky burim.

Ndërsa përgjigja zyrtare e PTK-së për shpenzimet e ish shefit ka shumë sipërfaqësore, duke u arsyetuar në mos dhënien e informacioneve për shkak se Haxha është nën hetime dhe nuk kanë dëshirë të ndërhyjnë në proces.

“Në bazë të ligjeve në fuqi PTK SH.A. si kompani publike, ka një rregullore interne që përcakton pagesa të ndryshme dhe udhëtimet zyrtare të stafit, përfshirë shpenzimet, pagesat dhe udhëtimet e Kryeshefit Ekzekutiv. Për shkak të ndjeshmërisë së informatave të kërkuara në këtë kohë, nuk mund të flasim për detajet e kërkuara, për arsye se siç kanë shkruar edhe në të kaluarën media të ndryshme, ka procedurë gjyqësore për informatat e kërkuara. Konfrom kësaj, me keqardhje na duhet të të njoftojmë se më shumë info nuk mund t’iu japim”, thuhet në një përgjigje për Indeksonline të Departamenti për Relacione me Publikun në PTK.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shyqyri-haxha-shpenzoi-afer-140-mije-euro-per-qira-te-baneses-dhe-udhetime/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala