Shumica e botës e dëshiron Kosovën në UNESCO

Autori:Avdyl Pajaziti

Në prag të votimit në Konferencën e përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se janë duke e vazhduar lobimin.

Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, i cili po qëndron në Paris, ku edhe po mbahet Konferenca e përgjithshme e UNESCO-s, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovën, të hënë, me 9 nëntor, e pret një sfidë, me gjasa reale mjaft pozitive.

“Lobimi, për të mos e lënë Kosovën të izoluar në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës botërore, po vazhdon edhe sot, një ditë para votimit në Konferencën e Përgjithshme (të UNESCO-s). Është e qartë se shumica e botës e dëshiron Kosovën në UNESCO, por Kosovën e pret një prag i lartë, i dy të tretave të të gjitha votave dhe jemi duke u fokusuar që një numër sa më i madh i shteteve ta marrë vendimin e duhur dhe të lejojë që Kosova të bëhet anëtarja e 196 e UNESCO-s, në 70-vjetorin e organizatës”, thotë Selimi në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë.

Por, zëvendësministri Selimi thekson se Kosova i ka gjasat tejet të mëdha dhe pozitive për t’u bërë anëtare e UNESCO-s.

“Unë e shoh dhe e ndjej, si dhe çdo ditë ne jemi dëshmitarë të një përkrahjeje shumë të madhe për Kosovën, anë e mbanë botës, por edhe anë e mbanë vetë ndërtesës së UNESCO-s. Tash duhet të fokusohemi që kjo përkrahje të ketë përfshirje sa më globale edhe të votave të vendeve, që të vendosim nesër (të hënën) në orën 11:30, në Paris”, thekson Selimi.

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s,do t’i zhvillojë punimet deri me 18 nëntor, ndërkaq më 9 nëntor, 195 vende anëtare të kësaj organizate, do të votojnë nëse Kosova do të bëhet pjesë e UNESCO-s.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shumica-e-botes-e-deshiron-kosoven-ne-unesco/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala