Shumë pakënaqësi për Ligjin për mbrojtjen juridike të të akuzuarve nga Specialja (Video)

Shumë pakënaqësi e reagime ka nxitur miratimi i ligjit për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë nga Gjykata Speciale, raporton KTV.
Miratimi këtij ligji po konsiderohet diskriminues për qytetarët e tjerë të Republikës, prandaj ka filluar të kërkohet edhe ndihma e avokatit të popullit.
Dy ditë më herët, ishte ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, që nga Interaktivi i KTV-së tha se Avokati i Popullit duhet që këtë ligj ta dërgojë në Kushtetuese për interpretim.
Por, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë se ende nuk e kanë një version përfundimtar të ligjit për ta analizuar nëse vërtet përbën shkelje dhe është diskriminues. Ai tha se institucionit të tij i duhet kohë që ta analizojë mirë ligjin. Nëse vërtet vëren se ligji është diskriminues, e ka obligim ligjor ta kërkojë interpretimin e Kushtetueses. Jashari megjithatë të akuzuarit potencialë në Gjykatën Speciale nuk i konsideron se janë të barabartë, meqë sipas tij, po bëhet fjalë për një Gjykatë unike Speciale dhe për disa individë.
Ndryshe, fare në fillim të këtij procesi dhjetëra organizata të shoqërisë civile ishin nënshkruar kundër këtij ligji duke i dërguar letër të hapur institucioneve për t’i thënë “jo” mbrojtjes juridike të të akuzuarve nga Gjykata Speciale me taksat tona”.