Shumë kritika për sistemin gjyqësor të Kosovës (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Sikur gati të gjitha fushat që janë kritikuar në Raportin e Progresit, vend të rëndësishëm në këto kritika ka zënë edhe sistemi i drejtësisë në vend.

Kritikat janë të shumta, duke nisur nga lëndët e pazgjidhura, numrin e vogël të gjyqtarëve, buxhet të kufizuar e deri te ndikimi politik në raste gjyqësore, raporton KTV.

Pak progres përmendet se është arritur vetëm me miratimin e një pakete të ligjeve.

Megjithatë, administrata e drejtësisë është e ngadalshme dhe nuk ka llogaridhënie të zyrtarëve gjyqësorë. Sistemi gjyqësor ende është i prirë nga ndërhyrjet politike.

Për këto, raporti rekomandon zbatim të paketës së ligjeve për drejtësi, financim për resurse njerëzore për sektorin e gjyqësisë dhe të sigurohet emërimi i ligjshëm dhe me kohë për anëtarë të institucioneve të rëndësishme si KGJK-ja dhe KPK-ja.

Sikurse në Këshillin Prokurorial, ashtu edhe në Këshillin Gjyqësor, shumica e anëtarëve emërohen nga Kuvendi i Kosovës.

Kjo rezulton me ndërhyrje të fortë politike dhe e rrezikon pavarësinë e gjyqësorit, thuhet në raport.

Reduktimi i lëndëve të pazgjidhura mbetet problem kryesor edhe në këtë raport të progresit.

91 mijë e 545 lëndë janë të pazgjidhura në Gjykatat e Kosovës, shifër kjo e fillimit të 2015-ës.

Kurse, 24 mijë e 948 lëndë janë nga vitet e kaluara.

Llogaritet se rreth 19 gjyqtarë punojnë në Kosovë për 100 mijë banorë.

Lufta kundër korrupsionit ka ngecur dhe për këtë duhet vullnet i madh politik që të luftohet ky fenomen siç duhet, rekomandon raporti.

Kosova nuk ka ende të dhëna për hetime, aktakuza dhe dënime në rastet e korrupsionit.

Një rekomandim i rëndësishëm është ai se Kosova duhet të konsiderojë që të marrë masa të duhura për të hetuar pasurinë e pashpjegueshme dhe prejardhjen e saj.

Në raport kritikohet edhe sistemi i dobët i qendrave të paraburgimit dhe burgjeve.

Sipas raportit të Progresit, ka shqetësim serioz për korrupsion dhe kontrabandim të gjërave në qendra të ndalimit si dhe privilegjet që iu ofrohen disa të arrestuarve të profilit të lartë.

Në Shërbimin Korrektues, ka shqetësim edhe për emërime politike.

Ndërkaq, për projektin që e kanë financuar vetë, Pallatin e Drejtësisë, nuk kanë përmendur problemet e shumta që ka pasur gjatë tërë vitit. Përkundrazi, shkruan se Pallati ofron infrastrukturën e nevojshme dhe kushte të duhura për punë.

Kurse, kritika janë dhënë edhe për sistemin prokurorial, ku në fillim të 2015-ës, në Prokurori të Shtetit janë 120 mijë e 706 raste të pazgjidhura.

KohaVisioni ka bërë kërkesë për një intervistë me kryeprokurorin e Kosovës, Aleksandër Lumezi, që nga e enjtja e javës së kaluar, por nuk ka marrë përgjigje pozitive ende.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shume-kritika-per-sistemin-gjyqesor-te-kosoves-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala