Shuhet Lazër Vlashi, aktori i njohur i filmave Debatik e Toka Jonë

Shuhet Lazër Vlashi/ Aktori i njohur i filmave si “Debatik”, “Njësiti gueril”, “Toka jonë” u nda nga jeta në moshën 96-vjeçare
Lazër Vlashi, një nga personazhet që bënë historinë e teatrit shqiptar, është shuar dje në moshën 96-vjeçare. Me një jetë përkushtuar teatrit dhe kinematografisë, artisti la pas një galeri të tërë rolesh. I lindur në qytetin e Durrësit më 15 shtator 1919, ai do të bëhej pjesë e trupës së Teatrit Popullor në moshën 30-vjeçare.
Vlashi i përket asaj plejade artistësh që vunë gurët e themelit në historinë e teatrit tonë. Ai iu bashkua teatrit, kur ky i fundit kishte vetëm pak vite jetë, duke u bërë pjesë e një rrugëtimi që jo vetëm solli shfaqje që kanë lënë gjurmë në historinë e teatrit, por dhe bënë historinë e tij. Ishte viti 1948, kur djaloshi nga Durrësi hyri në skenën e Teatrit Popullor, ku një grup aktorësh dhe regjisorësh të rinj, kishin nisur t’i jepnin jetë teatrit shqiptar.
Roli i tij i parë në skenën e këtij teatri është roli i Celuhovit në pjesën “Guvernatori i provincës” në 1949. Ka interpretuar mbi 80 role kryesore e episodike si: Simplin te “Gratë gazmore të Uindsorit”, Stasin te “Një nuse për Stasin”./Gazeta Shqip