Shuhen 1417 biznese

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e Kosovës në planin zhvillimor parashikoi lehtësira për bërje biznesi, por pavarësisht kësaj numri i bizneseve që po falimentojnë mbetet ende i lartë. Për gati dhjetë muaj në Kosovë janë shuar rreth 1417 biznese.

Mehdi Pllashniku, Drejtor për Çështje Administrative të Regjistrimit të Biznesit në ARBK ka thënë për “Zërin” se brenda këtij viti janë shuar rreth 1417, duke shtruar se në mesin e kompanive të falimentuara janë edhe 29 kompani të huaja. “Brenda këtij viti janë shuar rreth 1417 biznese, ku 29 prej tyre janë biznese të huaja“ ka thënë ai.

Pllashniku ka bërë të ditur se gjatë këtij viti janë regjistruar rreth 8089 biznese, ku prej tyre 269 biznese të huaja. Por, në anën tjetër përfaqësues të bizneseve kanë thënë se shuarja e bizneseve, sidomos atyre të huaja, flet në përgjithësi për një situatë jo të mirë të të bërit biznes në Kosovë.

Samir Krasniqi, drejtor i Odes Ekonomike Gjermano Kosovare , ka thënë se pavarësisht disa lëvizjeve që kanë bërë përparim në të bërit biznes, sipas tij situata mbetet jo shumë për të dëshiruar.

“Shuarja e bizneseve, sidomos atyre të huaja, flet në përgjithësi për një situatë jo të mirë të të bërit biznes në Kosovë. Pasojat që barten nga secili biznes i shuar, janë zinxhirore pasi reflektojnë në rritje të shkallës së papunësisë, zvogëlim të kërkesës në treg, rritje të varfërisë dhe shumë faktorë të tjerë negativ. Gjithsesi nga këto zhvillime, i paprekur nuk mbetet as imazhi i vendit, element ky shumë i rëndësishëm në prurjen e investimeve të huaja, sidomos atyre të mëdha” ka thënë ai.

Sipas tij, Raporti i Bankës Botërore “Të bërit biznes” për vitin 2015 e ka ranguar pozitivisht Kosovën, në krahasim me vitin 2014.

“Megjithatë, ky ndryshim konsiderohet se vjen si rezultat i thjeshtësimeve të procedurave për regjistrimin e biznesit dhe integrimin e sistemit të regjistrimit në Administratë Tatimore dhe Doganë. Pra, është një ndryshim procedural e burokratik, por jo një lehtësim praktik në punën e përditshme të biznesit. Andaj, edhe trendi i rënies së investimeve është evident. Meqë është kështu, dhe këto probleme nuk janë të sotme, ato flasin qartë për neglizhencë të vazhdueshme të strukturës shtetërore për të ndryshuar pozitivisht këtë klimë” ka thënë ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shuhen-1417-biznese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala