Shtrenjtohen cigaret në Kosovë

Duhanxhinjve kosovarë po u ngarkohet xhepi pas rritjes së fundit të çmimeve të cigareve.
Gjatë këtyre ditëve, në të gjitha qytetet e Kosovës, përreth 13 për qind, janë shtrenjtuar cigaret. E që i bie që rreth 0.10 centë janë shtrenjtuar të gjitha produktet.
Kësisoj, një “Marlboro” tani kushton dy euro e tridhjetë centë, kurse e buta, 2.20 €, “Lucky Strike” 1.70 €, “Eva” 1.30 €…etj.
Qeveria e Kosovës më 22 korrik ka miratuar propozimin për ndryshimin e normave të akcizës për duhan, lojërat e fatit dhe fishekzjarrët, të propozuar sot në mbledhjen e Qeverisë nga ministri i Financave Avdullah Hoti.
Duke parë nevojën e harmonizimit me direktivat e BE-së, si dhe me normat tatimore me vendet në rajon, ministri i Financave ka propozuar ndryshimin e normave të akcizës të aplikueshme në disa produkte në Kosovë.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për “Zërin” tha se DK-ja do të zbatojmë vendimi e Qeverisë së Republikës. Dhe, që nga hyrja në fuqi menjëherë ka filluar së zbatuari ky vendim.
Siç njofton MF, ndryshimet të cilat janë propozuar janë si në vijim: ngritja e akcizës në duhan nga 35€/1000 copë në 38€/1000 copë, ngritja e akcizës me normë prej 40% në aparatet/makinat që përdorën në lojërat e fatit si dhe vendosja e akcizës prej 2€ për kg në fishekzjarrë.
“Kjo ka ndodhur edhe për shkak se është marrë parasysh që buxheti i vitit 2015 i aprovuar në fillim të vitit ka qenë i zotuar në masë prej mbi 90% dhe hapësira për shkurtime me qëllim të ruajtjes së rregullës fiskale ka qenë e kufizuar. Për këtë janë identifikuar masa afatgjate në të hyra të cilat nuk kanë efekte negative në mirëqenien sociale të popullsisë, aktivitetin ekonomik si dhe ambientin biznesor”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave. /Zëri/