Shtrenjtohen buka, mishi, rryma, pemët e perimet

Autori:Avdyl Pajaziti

Çmimet e produkteve në këtë kohë dimri kanë shënuar ngritje kryesisht te produktet e bukës, mishit, perimeve, pemëve, rrymës gazit dhe lëndëve djegëse. Shporta për një familje mbetet e shtrenjtë për arsye se nuk ka standard dhe nuk ka mirëqenie sociale. Kështu shprehen konsumatorët për çmimet e shtrenjta të produkteve të konsumit, të cilët kanë vërejtur ngritje të çmimeve në janar. Edhe zyrtarë të Agjencisë së Statistikave pohojnë se ka lëvizje të çmimeve në periudhën e fundit.

Konsumatori Rexhep Murati tregon se përveç që kanë shënuar ngritje çmimet e produkteve ato nuk kanë cilësi dhe kualitet. Ai shton se në çdo produkt ka rritje të çmimeve dhe sipas tij kjo dukuri nuk është mirë për konsumatorët.

“Çmimet s’ke çka thua, ngritje, kualiteti jo, rrogat e vogla. Nuk është mirë po çka ke me ba. Po shiko, në çdo produkt ka rritje, zbritje por prapë rritje. Se din kur a është zbrit e është rritë”, tha Murati.

Edhe Selvete Nushi konsumator shprehet e brengosur me ngritje të çmimeve e cila ka vërejtur ngritje tek produktet e mishit dhe perimeve. Ajo thotë se vetëm ai që ka mundësi me 2-3 rroga me i ble këto produkte se sipas saj me pension nuk mundesh me i blerë.

“Çmimet janë shtrenjtuar, një kilogram speca kushton 3 euro. Vetëm ai që ka mundësi me 2-3 rroga me i ble se me pension nuk mundesh me i ble, veç për bajram ndonjë herë. Po patjetër, tek perimet se zakonisht blej më shumë perime, dorën në zemër edhe mishi shtrenjtë. Shikova dallimin mes mishit të bluar, isha te “Dardha” ishin në lirim 2 euro e gjysmë, këtu 4 euro e 90 cent një kilogram mish i bluar”, tha Nushi.

Kurse, konsumatori tjetër Januz Krasniqi thotë se jeta është shumë e shtrenjtë, sipas tij, këtu në Kosovë disa artikuj janë të barabartë p.sh. produktet e qumështit si në Gjermani si në Zvicër.

Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku tha për KosovaPress se ngritjet e çmimeve janë manipulime me konsumatorët për mungesë të kujdesit të shtetit, konsumatorët duhet t’i nënshtrohen dirigjimit të disa individëve të cilët për fat të keq nuk janë aspak të ndershëm.

“Tregtarët gjithmonë e shfrytëzojnë momentin kur është një kalim sezonal domethënë kur është një vobekti sezonale, kur ka reshje bore dhe kur fermerët nuk mund të merren me punët e tyre….Domethënë ky është një manipulim, dhe për mungesë të rezervave shtetërorë, për mungesë të kujdesit të shtetit, ne duhet t’i nënshtrohemi dirigjimit të disa individëve të cilët për fat të keq, po më vjen keq që po e them kështu por nuk janë aspak të ndershëm”, tha Kaçaniku.

Ai thotë se për fat të keq numri i ankesave po ulet. Ky është një sinjal shumë i keq sepse vazhdimisht dëshmohet se ata nuk janë aspak të kënaqur me kujdesin që e marrin nga institucionet nga asociacionet, mekanizmat e mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së tregu. Ai thotë se është një humbje e besimit është një humbje e shpresës dhe ky duhet të merret si një sinjal jashtëzakonisht i rëndësishëm për institucionet e shtetit.

Drejtor i Departamentit të statistikave ekonomike, në Agjencinë e Statistikave të Kosovës(ASK) Ilir Berisha për KosovaPress tha se gjatë kësaj periudhe kishte ngritje të çmimeve.

“Siç e ceket edhe ju qytetarët që kanë vërejtur ngritje të çmimeve, normalisht se gjatë kësaj periudhe kishte edhe ngritje të çmimeve…. te nëngrupet bukë dhe drithëra me 0.6 përqind, mishi kishte një ngritje prej 1.5 përqind, pemët me 6 përqind, perimet me 3.4 për qind pijet alkoolike me 7.3 për qind, duhani me 6.2 për qind, rrymë gaz lëndë djegëse e të tjera 3.0 përqind”, thotë Berisha. Ai thotë se për kundër këtyre ngritjeve në vitin a kaluar ka pasur një deflacion 0.5 përqind. Berisha theksoi se në dhjetor nafta me 3 për qind ishte më lirë, pemët me 0.1 për qind. Dhe kjo rënieçmimeve është vërejtur te pemët me minus 4.5 për qind, përdorimi i pajisjeve për transport të karburanteve. Sipas tij, grupet tjera patën një ngritje, siç ishin mishi me 1.8 për qind, vajrat dhe yndyrërat me 6.9 për qind, sheqeri dhe ëmbëlsirat me 6.7 për qind, pijet alkoolike me 12.8 përqind, duhani me 10 për qind, veshmbathje me 4 përqind, prodhimi dhe pasjet me mjekësore me 4 për qind, shërbimet hoteliere me 1 për qind.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shtrenjtohen-buka-mishi-rryma-pemet-e-perimet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala