Shtohet prania e policisë në veri të Kosovës

Mbase për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë nga organizata të ndryshme ekstremiste, Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në veri, me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë, ka ndërmarrë masat e ngritjes së nivelit të sigurisë në pjesën veriore e Kosovës.
“Në veri të Kosovës është shtuar prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, sidomos në vendbanimet multietnike. Kjo është bërë me urdhër nga Prishtina”, ka konfirmuar Policia e Kosovës në veri, të hënën.
Shefi i operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Zhelko Bojiq, u ka deklaruar medieve serbe, se prania e zyrtarëve policorë është shtuar me urdhër nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe se pjesëtarët e Policisë janë vendosur në shumë pjesë të veriut të Mitrovicës dhe të Kosovës, me qëllim të veprimit preventiv. /Zëri/