Shtohen rastet e braktisjes së shkollimit

Autori:Avdyl Pajaziti

Edhe më tutje shënohen raste të braktisjes së shkollimit në nivel vendi, ndërsa migrimi i kohëve të fundit ka shtuar përqindjen e këtyre rasteve.

Por zyrtarë të arsimit thonë se në nivel vendi, fëmijët po braktisin mësimin edhe për shkaqe të tjera. Sidoqoftë, braktisja e shkollimit pa paralajmërim, sjell edhe sanksione për prindërit.

Sanije Konushevci, nënë e katër fëmijëve, në mungesë të kushteve ekonomike, tregon se shpesh fëmijët e saj nuk kanë mundësi që rregullisht të shkojnë në shkollë. Edhe pse në kushte të vështira sociale, Sanija thotë se i motivon fëmijët për t’u shkolluar.

 

Braktisja e shkollimit nga fëmijët nga shkollat fillore e të mesme, vitin e fundit ka shënuar rritje për shkak të migrimit. Të dhënat e Ministrisë së Arsimit tregojnë se gjatë tri viteve të fundit, braktisja e shkollimit për shkaqe të tjera, ka shënuar një ulje të vogël.

 

Në vitin shkollor 2011/2012, shkalla e braktisjes së shkollimit nga fëmijët ka qenë 0.5 për qind, në vitin shkollor 2012/2013, shkalla e braktisjes ishte gjithashtu, 0.4 për qind, derisa në vitin 2013/2014, e kanë braktisur shkollimin 0.1 për qind e fëmijëve.

 

“…nëse është kategori e rasteve sociale në këtë rast, këto ekipe e kanë për obligim që të raportojnë në drejtoritë komunale që kanë për detyrë të marrin përsipër sigurimin e transportit, në raste eventuale ndarjen e ndonjë burse…”

 

Braktisja e shkollimit është e ndaluar edhe me Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Në nenin 47 të këtij ligji thuhet: “Nëse komuna vlerëson se ndonjë fëmijë i moshës së shkollimit të detyruar nga territori i saj nuk është duke u arsimuar në mënyrë të duhur, përmes vijueshmërisë së rregullt në shkollë, ajo u dërgon një vërejtje me shkrim prindërve dhe kërkon nga ata që të bindin komunën brenda afatit kohor të përcaktuar në vërejtje se fëmija është duke u arsimuar në shtëpi ose diku tjetër. Nëse prindërit nuk i përgjigjen komunës brenda afatit kohor të specifikuar në vërejtjen atëherë komuna e procedon rastin në procedurë për kundërvajtje.”

 

“…për vitin e ardhshëm shkollor ne kemi planifikuar që për shkollat e mesme të larta, nëse kemi nxënës nga viset rurale dhe të cilët në mungesë të kushteve ekonomike nuk mund të vijojnë mësimin për shkak se duhet të paguajnë transport, jemi duke shqyrtuar që të veprojmë në këtë drejtim…”

Ministria e Arsimit ka nxjerrë edhe një udhëzim administrativ, për krijimin dhe fuqizimin e ekipeve të cilët do të punojnë në parandalimin dhe reagimin ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit të fëmijëve në arsimin e obliguar.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shtohen-rastet-e-braktisjes-se-shkollimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala