Shteti privilegjon naftëtarët pa arka fiskale

Autori:Zekirja Shabani

Ministri i Financave të Kosovës Avdulla Hoti, ua ka lënë në dorë kompanive të naftës të vendosin vetë nëse donë apo jo të fiskalizohen. Bizneset me qarkullimin më të madh në vend me pajtim të Qeverisë së Kosovës e kanë derën hapur për dallavere në shitjen e karburanteve.

Udhëzimi i Administrativ për pajisjen dhe mirëmbajtjen e arkave fiskale nuk ka paraparë se si do të fiskalizohen këto biznese.

Nuk dihet nëse atyre do tu vendosen pajisje fiskale në mekanizmin që mbush veturat me karburante apo do tu mundësohet që arka të jetë në zyra të pikave të karburanteve.

Këtë nuk e ka sqaruar as vetë ministri Hoti në konferencën për medie të premten.

Ai vetëm ka bërë të ditur se tregu i shitjes së arkave fiskale do të liberalizohet dhe nuk do të ketë më vetëm një kompani të vetme për fuurnizim të bizneseve me këto pajisje, por mundësia për të sjellë nëtreg arka fiskale u është dhënë të gjithëve që i plotësojnë kushtet.

Deri tani janë vendosur rreth 25 mij arka fiskale në të gjitha bizneset në vend ndërkaq në Kosovë janë të regjistruara mbi 100 mijë biznese.

Kundër këtij vendimi kanë dalë kompanitë e licencuara për shitjen dhe mirëmbajtjen e arkave fiskale të cilat kanë qenë palë në zbatimin e procesit të fiskalizimit.

“…deklarojnë se asnjë nga vërejtjet tona nuk është marrë parasysh në ndryshimet e udhëzimit administrativ për arka fiskale”, thuhet në reagimin e tyre.

“Sic u deklarua në prezentimin e udhëzimit të ri administrativ, ky dokument edhe më tutje e shtynë procesin e fiskalizimit të naftarëve, cka është shqetësuese pasi po bëhen disa vite që përkundër investimeve tona shumë të mëdha në importimin e sistemeve fiskale për naftarë ata nuk obligohen ende të instalojnë ato”.

Ndërkaq, zgjatja e periudhës së kontrollës teknike nga 1 në 2 vjet thuhet se është favorizim i njërës kompani të licencuar pasi tri kompanitë tjera kanë numër më të vogël të arkave fiskale në treg dhe shpenzimet operative i mbulojnë pikërisht nga pagesat e kontrollave periodike.  Me këtë ndryshim, këto tri kompani rrezikojnë të mbyllen pasi nuk do të kenë mundësi të ofrojnë këtë shërbim.

“Ky udhëzim i ri nuk ka të bëjë me hapje të tregut për arka fiskale por është vetëm një tentim për të krijuar favore për grupe të biznesit që të sjellin pajisje fiskale në treg dhe të fiskalizojnë vetveten”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndërkaq, në konferencën e së premtes ministri Hoti, ka thënë se përmes këtij udhëzimi administrativ licencimi për tu pajisur me arka fiskale do të kalojë nga licencimi i kompanive që i kanë shitur tek certifikimi i pajisjet fiskale.

Përmes kësaj ai ka thënë se pajisjeve fiskale do të kushtojnë shumë më lirë.

“Brenda 15 ditëve çdo kompanie që bënë kërkesë për pajisje fiskale i miratohet kërkesa”, ka thënë Hoti.

Ai ka njoftuar se rreth 20 mijë biznese ende nuk janë pajisur me arka fiskale.

E me udhëzimin e ri administrativ do të subvencionohen edhe qytetarët që ruajnë kuponët fiskal nga blerjet.

“Çdo tre muaj qytetarët mund t’i dërgojnë kuponët fiskal. Kuponët nga vlera 250-500 euro, qytetarët subvencionohen me nga 10 euro, nga 500- 800 euro subvencionohen 15 euro dhe mbi 800 euro me nga 20 euro”, ka thënë Hoti.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shteti-privilegjon-naftetaret-pa-arka-fiskale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala