Shteti humbi në 1603 lëndë të vjedhjes së pyjeve

Autori:Zekirja Shabani

Vjedhja e pyjeve që nga viti 2001 deri në vitin 2014, është vepra penale që është parashtruar më së shumti me gjithsej 1,783 lëndë, por vetëm gjatë vitit 2013-14, shteti humbi të drejtën e zbatimit të sanksioneve penale për 1,603 lëndë për vjedhje pylli.

Kështu thuhet në një raport monitorues të Organizatës “Çohu”, sipas të cilit pyjet në Kosovë mbulojnë 481,000 hektarë, ose 45% të sipërfaqes së përgjithshme. Kurse, prerja e pyjeve konsiderohet të jetë tepër e lartë.

“Nga të gjitha prerjet vjetore të pyjeve, 86% klasifikohen si prerje e paregjistruar. Kjo shifër sipas të gjitha standardeve është e lartë. Kjo gjendje e rëndë e pyjeve nga prerjet ilegale pasqyrohet edhe me numrin e lëndëve për vjedhje pylli në gjykatat e Kosovës. Përveç numrit të lartë të lëndëve edhe parashkrimi i këtyre lëndëve është tepër i lartë. Vepra penale vjedhje e pyllit është vepra më e parashkruar ndër vite. Në raportin monitorues të realizuar nga Organizata “Çohu” për komplet parashkrimin e lëndëve nga viti 2001 deri në vitin 2014 rezulton që vepra penale që është parashkruar më së shumti është vjedhja e pyllit neni 358/285 me gjithsej 1,783 lëndë të parashkruara.

Qëllim i këtij monitorimi përveç adresimit të çështjes së mjedisit përmes trajtimit të këtyre lëndëve në gjykata, janë edhe sfidat që gjykatat themelore si dhe degët e tyre hasin në trajtimin e këtyre lëndëve. Reformimi i sistemit gjyqësor në Kosovë solli ndryshime për gjykatat e Kosovës përfshirë emërtimindhe strukturën e tyre. Si pjesë e reformimit të sistemit gjyqësor ishte edhe rritja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në gjykatat dhe prokuroritë e vendit. Ky aspekt i reformës krijoi infrastrukturën njerëzore të domosdoshme për fillim e menaxhimit më të mirë të lëndëve si dhe parandalimin e parashkrimit/vjetërsimit të lëndëve penale që është ndër problemet madhore në gjykatat e Kosovës. Përkundër reformës gjykatat e Kosovës ende ballafaqohen me probleme të mëdha. Bazuar në të gjeturat e këtij raporti vetëm gjatë vitit 2013 dhe 2014 shteti humbi të drejtën e zbatimit të sanksioneve penale për 1603 lëndë për vjedhje pylli”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

Sipas “Çohu”, parashkrimi i veprës penale vjedhje e pyllit është jashtë çfarëdo standardi e lartë, përfshirë këtu parashkrimin absolut dhe atë relativ.

“Edhe pse në përgjithësi parashkrimi i lëndëve penale është i papranueshëm, parashkrimi relativ paraqet shqetësim më të lartë, sidomos pasi kjo mbetet përgjegjësi e gjyqtarëve dhe vjen si pasojë e mos ndërmarrjes së asnjë veprimi për lëndët në fjalë. Shumë lëndë, si rezultat i grumbullimit të tyre ndër vite, në momentin e shqyrtimit veçse kanë arritur në fazën e parashkrimit.Krahasimi i të dhënave nga viti 2013 dhe 2014 tregon një rënie të parashkrimit për lëndët vjedhje e pyllit për 39,54%, që mund të konsiderohet si indikatorë që shtimi i numrit të gjyqtarëve ka dhënë rezultat në trajtimin e lëndëve. Ndër problemet me të cilat përballen gjy katat janë dehe mungesa e të dhënave elementare në lëndët penale i cili përveç që paraqet problem madhorë dhe pamundëson trajtimin e këtyre lëndëve. Për vite gjykatat u ngarkuan me lëndë, edhe ashtu të shumta në numër dhe me pamundësi trajtimi, të cilat në mungesë të të dhënave për personat e akuzuar janë lëndë që domosdo përfundojnë në parashkrim”, thuhet në komunikatë.

Një element tjetër që ky monitorim vë në pah është edhe masa ndëshkimore e cila në përgjithësi konsiderohet e ulët. Për më tepër kur masa ndëshkimore dënim me burg aplikohet shumë pak duke krijuar tendencë që shkelësit të dënohen me gjoba ose me kusht.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shteti-humbi-ne-1603-lende-te-vjedhjes-se-pyjeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala