Shteti duhet t’i mbështesë të akuzuarit nga Specialja

Autori:Avdyl Pajaziti

Avokatët e kanë mirëpritur miratimin e Projektligjit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.
Arianit Koci dhe Tomë Gashi kanë vlerësuar se dërgimi i të akuzuarve të mundshëm jashtë vendit pa mbështetje financiare do të ishte diskriminim. Duke i kundërshtuar kritikët e këtij projektligji, ata kanë deklaruar se vetëm në këtë mënyrë do të sigurohej një proces gjyqësor i drejtë për të akuzuarit nga kjo gjykatë. “Ata janë të pafajshëm derisa fajësia e tyre nuk vërtetohet në formë të prerë. Të akuzuarit eventualë do të dërgohen në paraburgim jashtë Kosovës dhe shumë prej tyre nuk do të vizitohen prej familjeve për shkaqe financiare. E drejta në vizitë është një e drejtë fondamentale. Nëse insistojmë të shpenzohet paraja jonë racionalisht, e në të njëjtën kohë nuk kërkojmë që shteti ta mbrojë qytetarin, atëherë besoj se si shoqëri kemi dështuar”, ka thënë avokati Arianit Koci.
Ai ka bërë me dije se në të njëjtën mënyrë si Kosova ka vepruar Kroacia dhe vendet e tjera të rajonit. “Çfarëdo të jetë epilogu juridik ndaj të akuzuarve, me vetë faktin që si të paraburgosur dërgohen jashtë Kosovës, pa ndonjë ndihmë institucionale diskriminohen rëndë. Këtë trajtim të qytetarit të vet nuk e lejon asnjë shtet demokratik. Shpenzimet rreth të akuzuarve nuk nënkuptojnë vetëm pagesën e avokatëve. Ashtu-kështu, askush nuk mund të gjykohet për krime lufte pa avokat. A nuk paguhen sot e kësaj dite të akuzuarit në Kosovë për mbrojtje sipas detyrës zyrtare, kriminelët potencialë – siç i quajnë. Pse mos t’i marrim si model Kroacinë, Bosnjën, Serbinë apo Maqedoninë”, është shprehur Koci.
Sipas tij, do të ishte e rëndë nëse dikush nga të akuzuari shpallet i pafajshëm dhe gjatë asaj kohe familjarët e tyre për shkaqe financiare nuk kanë mundësi ta vizitojnë. “Pse të akuzuarit e Gjykatës Speciale duhet të diskriminohen? Përndryshe, trajtimi i barabartë dhe i dinjitetshëm i çdo qytetari të Kosovës i shkon në dobi shtetit dhe shoqërisë së këtij vendi. Çfarë ndodh nëse ndonjëri nga të akuzuarit shpallet i pafajshëm dhe nuk ka mundësi për vite të tëra të vizitohet nga familjarët”, ka thënë Koci.
Edhe avokati tjetër Tomë Gashi ka deklaruar se shteti i Kosovës duhet t’u dalë në krah të akuzuarve të mundshëm në Gjykatën Speciale. Sipas tij, në gjykatat ndërkombëtare shtetet participojnë dhe i ndihmojnë financiarisht qytetarët e tyre të akuzuar për t’i siguruar një proces gjyqësor të drejtë.
“Sa i përket financimit të mbrojtjes së të akuzuarve në Gjykatën Speciale dhe sa i përket ndihmës në heqjen e shpenzimeve të udhëtimit për familjarët e ngushtë të personave që do të akuzohen në Gjykatën Speciale, e cila do ta ketë selinë në Holandë, mendoj se kjo është e drejtë dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Nëse e marrim për bazë atë që dihet, se kjo gjykatë do të jetë faktikisht gjykatë ndërkombëtare, me të gjitha atributet e saj. Nëse dimë se në të gjitha gjykatat ndërkombëtare shtetet participojnë dhe i ndihmojnë financiarisht të akuzuarit, atëherë nuk ka asnjë arsye të mos veprohet kështu. Nëse e dimë përvojën e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, atëherë duhet ta dimë se pikërisht kjo ka ndodhur me të gjithë të akuzuarit atje, përpos me shqiptarët e Kosovës”, ka thënë Gashi, duke treguar mënyrën e financimit të të akuzuarve shqiptarë në Gjykatën e Hagës.
“Unë kam qenë avokat mbrojtës në të dy rastet e vetme që kanë qenë në Tribunalin e Hagës. Kam qenë pjesë e ekipit mbrojtës në rastin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe në rastin e Fatmir Limajt. Në të dy këto raste tribunali ka ndarë shuma të caktuara dhe jo të vogla të parave për avokatë mbrojtës. Ato para janë shpenzuar vetëm pjesërisht për Ramushin dhe Fatmirin, sepse të dytë kanë formuar fonde për mbrojtjen e tyre, kurse për mbrojtjen e të akuzuarve të tjerë ka paguar Tribunali i Hagës. Kosova nuk ka bërë asgjë për Ramushin dhe Fatmirin, sepse ne nuk kemi qenë shtet, kemi qenë nën mandatin e OKB-së. UNMIK-u e ka diktuar çdo send në sferën e drejtësisë”, është shprehur Gashi.
Sipas tij, meqenëse OKB-ja ka paguar mbrojtjen e të gjithë të akuzuarve në Gjykatën e Hagës për me tepër se 20 vjet, përveç të atyre që kanë krijuar fonde, tani të akuzuarit potencialë nga Kosova duhet të ndihmohen nga shteti.
“Tani edhe Kosova si shtet duhet të paguajë për mbrojtjen e qytetarëve të saj në një tribunal të njëjtë si ai i Hagës, vetëm që kjo gjykatë do të jetë më e vogël sepse mjerisht do të merret vetëm me gjykimin e shqiptarëve dhe vetëm me shqiptarë të Kosovës e jo me të tjerët siç ka qenë tribunali për ish-Jugosllavi”, ka thënë Gashi, duke shtuar se Qeveria duhet ta paguajë mbrojtjen e qytetarëve të saj. “Duhet t’i ndihmojë familjet e të akuzuarve që të shkojnë në Holandë kohe pas kohe që t’i shohin familjarët e tyre”, ka deklaruar Gashi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shteti-duhet-ti-mbeshtese-te-akuzuarit-nga-specialja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala