Shqyrtohet Projektligji për Menaxhimin e Financave Publike

Autori:Avdyl Pajaziti

– Kuvendi i Kosovës sot mban seancën plenare në të cilën do të bëhet shqyrtimi preliminar i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i propozuarar nga Kampanja “Drejtësia dhe Qytetarët” nëpërmjet nismës legjislative qytetare.

Gjatë kësaj seance  deputetja Vjosa Osmani, do të përfaqësojë Nismën, duke prezantuar argumentet dhe arsyetimet për projektligjin.

Pas leximit të parë dhe votimit në parim të kësaj nisme, Kryesia do të dërgoj këtë nismë për shqyrtim të mëtutjeshëm në komisionet përgjegjëse.

Me këtë rast pas përfundimit të seancës, përfaqësuesit e nismës do t’i drejtohen mediave në konferencën për shtyp të organizuar nga Kampanja.

Për t’i promovuar sa më shumë të drejtat e qytetarëve në mënyrë që të kërkojnë mjete efektive juridike në rast të shkeljes së të drejtave të tyre, si dhe për ta promovuar përgjegjësinë e zyrtarëve qeveritarë për shkeljen e të drejtave të njeriut, Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët me datën 18 Dhjetor 2013, parashtroi një njoftim zyrtar në Asamblenë e Kosovës për nisjen e nismës legjislative për mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve për reformimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Nisma u zhvillua në pajtim me Nenin 79 të Kushtetutës së Kosovës dhe me Ligjin për Nismat Legjislative. Përmes kësaj nisme u synua të  mblidhen mbi 10,000 nënshkrime të qytetarëve të Kosovës për ta mbështetur amendamentimin e ligjit në fjalë, i cili do të përkufizonte kompensimin e drejtë për shkeljen e të drejtave të njeriut, ku do ta përfshinte kompensimin si për dëmet ekonomike edhe të atyre të natyrës jo-ekonomike.

Për të mbledhur 10,000 nënshkrimet e kërkuara dhe për të arritur një grup më të gjerë të qytetarëve të Kosovës, Kampanja krijoi një rrjet të OJQ-ve partnere të cilat mblodhën në total 13,166 nënshkrime të qytetarëve në tërë territorin e Kosovës. Me datën 2 prill, 2014 Kampanja i dorëzoi Kuvendit të Kosovës 13.166 nënshkrimet e qytetarëve në mbështetje të kësaj nisme.

Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët, së bashku me qytetarët e Kosovës, e konsiderojnë kompensimin jo-ekonomik të viktimave të të drejtave të njeriut si një reformë e nevojshme për  promovimin e përgjegjshmërisë në qeverisje dhe drejtësi për qytetarët.

Kampanja  rekomandoi që të amendamentohet neni 69 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si në vijim:

Gjykata kompetente është e autorizuar që ta urdhërojë një autoritet publik ose organizatë buxhetore që të bëjë kompensim të drejtë për dëmet e shkaktuara, duke përfshirë të paguajë kompensim monetar dëmet e drejtpërdrejta ekonomike, të cilat janë vërtetuar nga gjykata në bazë të provave, dhe dëmet e natyrës jo-ekonomike që shpërblehen në mënyrë të barabartë

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shqyrtohet-projektligji-per-menaxhimin-e-financave-publike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala