Shqiptari jeton me qira, serbi bën biznes në pronën e tij

Autori:Avdyl Pajaziti

Shemsedin Miftari jeton me ndihmat sociale e qira në jug të Mitrovicës, ndërsa truallin e tij në veri e shfrytëzon Zvezdan Mihajloviq i cili ka hapur biznese.

“Para luftës shtëpinë e kam pasur në veri të Mitrovicës buzë lumit Ibër, në pjesën e rrugës në mes të Xhamisë së Ibrit dhe Telekomit”, ka thënë për portalin ‘tesheshi’, Shemsedin Miftari. “Shtëpia e ka pasë fatin e njëjtin sikurse xhamia, pra është djegur nga forcat ushtarako-policore serbe në fund të muajit prill 1999 dhe është rrafshuar përtokë me 2 maj”.

Familja e tij ka tetë anëtarë, por askush nuk është në punë.

“Jetojmë nga ndihmat sociale. Paguaj qira 150 euro në muaj, ndërkohë që pronën time në veri të Mitrovicës po e shfrytëzon Zvezdan Mihajloviq nga fshatit Frashër, i cili ka hapur edhe biznes”.

Gjithë këto vite ka trokitur në të gjitha dyert e institucioneve të Kosovës. Më në fund, Gjykata Themelore e Mitrovicës këto ditë ka nxjerrë aktvendim ku kërkon nga serbi që të lirojë pronën, por një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Disa miq dhe bashkatdhetarë ma kanë siguruar materialin ndërtimor për ta ndërtuar shtëpinë, por uzurpatori nuk po e liron pronën, se bën biznes”.

Ai thotë se është ankuar dhe në stacionin policor të Veriut, porse atje i kanë thënë se duhet edhe një vendim tjetër për ekzekutim, pra dëbim të personit.

“Trualli i im gjendet në pjesën më të bukur të Mitrovicës. Fillimisht serbi ka hapur pikë karburanti, ndërsa tani e ka kthyer në treg ky shet pemë e perime. Unë jam duke bredhur rrugëve e jetoj me ndihma, ndërsa serbi pasurohet në pronën time. Kështu nuk ka askund në botë”.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës kanë thënë se Gjykata uzurpatorit ia ka dërguar një vendim me të cilën kërkohet nga ai që me vetë dëshirë ta lirojë pronën e uzurpuar. Në se Mihajloviq nuk e liron atë, atëherë Policia me urdhër të gjykatës do ta bëjë ekzekutimin e vendimit dhe pronari i ligjshëm do ta merr pronën e tij.

“Deri tani Policia e Kosovës ka liruar me dhjetëra prona të uzurpuara në veri të Mitrovicës. Si gjithmonë, edhe në këtë rast policia është e vendosur që ta zbatojë ligjin”, ka thënë një zyrtari i Policisë në veri të Mitrovicës. /tesheshi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shqiptari-jeton-me-qira-serbi-ben-biznes-ne-pronen-e-tij/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala