Shqiptarët po largohen nga Lugina e Preshevës

Autori:Avdyl Pajaziti

Lugina e Preshevës po zbrazet dita ditës nga shqiptarët. Banorët thonë se janë të diskriminuar nga politika serbe e të anashkaluar nga Tirana e Prishtina. Politikanët lokalë sipas tyre po i shikojnë vetëm përfitimet e veta, derisa mirëqenien e popullit nuk e kanë prioritet.

Përkrahje nuk kanë e as nuk presin nga Serbia, të cilën e konsiderojnë armike, derisa nga Shqipëria e Kosova kanë dëgjuar vetën deklarata, pa vepra konkrete.

Praninë e shtetit në të cilën jetojnë e shohin vetëm me mbipopullimin me policë e xhandarë përskaj kufirit me Kosovën. Me një papunësi që sillet prej 70 deri në 80 për qind, ata nuk shohin perspektivë për të ardhmen, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndërkaq qeveria e Kosovës që vazhdon të merret me pasojat e prezencës së Serbisë në Kosova, edhe për një kohë nuk do ta ketë në agjendë çështjen e shqiptarëve të Luginës. Të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovë, nuk i kanë as për së afërmi shqiptarët e Luginës.

Banorët që has në qytetin e Preshevës hezitojnë të flasin për problemet që i kanë.
“Politikanët pyesni si jetojmë”, thotë një i ri duke rritur dozën e nervozizmit.
“Sidomos pushteti i sotëm e ka likuiduar Preshevën, një bankë e kemi, nuk kemi gjyq, nuk kemi asgjë, pushteti i sotëm është më i keqi që e ka qeverisur Preshevën”, shfryn ai mllefin. Ai nuk pret të bëhet mirë. “Po çfarë të bëri mirë, edhe ne me ik si refugjatët sirianë”. “Presheva po zbrazet”, përfundon ai.

E Nerdoani një i ri tjetër nga Presheva thotë se duan të jetojnë si të gjithë shqiptarët e tjerë. Sipas tij, politika shqiptare nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e gjendjes së banorëve. Ka theksuar se është mirë që të kërkohet që shqiptarët e Luginës të kenë aq të drejta sa serbët e Kosovës. Për ta gjendja nuk ka ndryshuar në 100 vitet e fundit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shqiptaret-po-largohen-nga-lugina-e-presheves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala