Shqiptarët e veriut shqyrtojnë mundësinë e shpërnguljes

Autori:Gazeta Fjala

Në Komunën e Leposaviçit, ndodhen tri fshatra shqiptare, Bistricë, Cerajë e Vllahi, të cilat në katër anët janë të rrethuar me fshatra të populluara me serb.

E lajmet që morën ditëve të fundit për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk u priten mirë.

Disa prej banorëve të këtyre fshatrave thanë për Gazetën Fjala, se e ndjejnë vetën të pa sigurt, dhe se ndjehen të frikësuar nga krijimi i “Zajednices”.

“Neve s’po na vetë kush, e as s’po na vizitojnë. Po ndjehemi të pasigurt”, tha për Fjalën, Nezir Bistrica nga fshati Bistricë.

E njëlloj shprehet edhe Avni Halili, banor i fshatit Cerajë, i cili me shqetësim thotë se i ka përcjellur zhvillimet e fundit në Kosovë e Bruksel.

“Jemi të frikësuar, sepse kurrë nuk erdh dikush e me na pyet se çka po mendojmë e si po ndjehemi. Jemi të harruar” ka thënë ai.

Ai tutje ngritë edhe një shqetësim, dhe tregon se nuk i pëlqen e ardhmja që po e mendon, sepse mund të jenë të detyruar,sipas tij, ta braktisin fshatin dhe të vijnë në Mitrovicë.

“Nëse del siç po flitet në televizion, neve nuk ka mbetet tjetër veç me u shpërngulë”, vazhdon Avni Halili.

Ngjashëm mendon edhe nënkryetari i Komunës së Leposaviçit, Xhemshit Bekteshi.

Ai, duke folur me rezerva, meqë është pjesë e qeverisjes komunale të Leposaviçit, shprehet se nuk është gjithçka në rregull.

“Puna nuk është mirë, e tjetër s’muj me thanë asgjë” ka thënë Bekteshi, për Gazetën Fjala.

Ndryshe, fshatrat e banuara me shqiptarë në komunat veriore, qe një kohë janë të lëna pa mbështetje.

Deri para një viti, Qeveria ju kishte siguruar atyre një autobus që i barte për në Mitrovicë, ndërkaq tash e një vit ata kanë mbetur të izoluar, pasi edhe autobusi i vetëm që kalonte nëpër atë pjesë, nuk kalon më./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shqiptaret-e-veriut-shqyrtojne-mundesine-e-shpernguljes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala