Shqiptarët do ta përfaqësojnë Austrinë në kampionatin botëror të futbollit të vogël në Dubai

Për herë të dytë këtë vit ekipi i Xhamisë Shqiptare “El Buhari” në Vjenë të Austrisë i cili përbëhet nga ish futbollist të superligës së Kosovës, ishte i pakonkurrencë.
Për të dytën herë në mesin e 250 ekipeve që garuan në këtë turne, i cili u mbajt nën patronatin e Federatës së futbollit të Austrisë, ky ekip triumfoi.
I njëjti ekip doli I pari para pak kohësh në një turne të ngjashëm, duke fituar si shpërblim një udhëtim në Spanjë, në kuadër të së cilit vizituan disa nga klubet më të njohura të La Ligës, dhe duke u njoftuar për së afërmi me kushtet dhe punën që bëjnë këto ekipe të njohura botërore.
Kësaj radhe këta djelmosha të talentuar të cilët janë emra të njohur për dashamirët e futbollit kosovar, do të marrin pjesë në kampionatin botërorë të futbollit të vogël në Dubai që do të mbahet prej 22-26 prill. Shqiptarët, për kundërshtarë do të kenë përfaqësuese të njohura me nam botëror si atë të Brazilit, Spanjës, Italisë, Meksikës etj.
Edhe pse djemtë janë të angazhuar nëpër klube të ndryshme në ligat e Austrisë, ata janë shumë mirë të komponuar dhe shquhen për disciplinë dhe teknikë të lartë e cila rezultoi në vitin e fundit me fitoren e shumë turneve në Austri madje disa prej të cilëve me karakter ndërkombëtarë.
Ekipi i Xhamisë Elbuhari përbëhet prej këtyre futbollistëve: Ylber Përvetica, Besnik Shehu, Taulant Zeneli, Alban Feta, Arlind Zylfallari, Arlind Krivaqa, Florim Gashi, Dardan Zariqi, Imer Hamiti dhe Besnik Gashi.