Shqipëtarja e investimeve milionëshe

Autori:Avdyl Pajaziti

Gazeta NZZ am Sonntag ka publikuar një portret të Miranda Ademajt, shqiptares 31 vjeçe, e cila është bërë e njohur për sukseset me firmën e saj Skënderbeg në lëmin e investimeve.

“What role do you play in this company?” (Çfarë roli luani ju në këtë kompani?), është kjo një fjali që Miranda Ademaj e ka dëgjuar më shumë se një herë. Ndërsa, përgjigja e saj në këto raste është: “Unë jam themeluese dhe kryemenaxhere e Skënderbeg Alternative Investments”.

Arsyeja më sipërfaqësore për një pyetje të tillë është ajo se Miranda është femër. Dhe, ajo i jep rëndësi kësaj.

E gjatë, bionde, e kultivuar me shije të hollë, femine në paraqitje. Ndërsa, lëmi i investimeve nuk është edhe ndonjë fushë ku kanë depërtuar shumë femra. E, kur ke pamjen e një zonje, kjo gjë në fusha të tilla nuk të shton automatikisht besueshmërinë. Veç kësaj, Ademaj është 31 vjeçe, që për pozicionet udhëheqëse është një moshë shumë e re.

Ajo punon në krah të një ish profesori 50 vjeçar të matematikës që ka studiuar në Kembrixh. Miranda është shefja e tij.

Një shkak tjetër që e bën mahnitës suksesin e Mirandës, është prejardhja e saj. Si shqiptare e Kosovës, ajo nuk është se i takon një etnie që në Zvicër gëzon besimin më të madh. Prejardhja e saj nuk bëhet shumë më e pëlqyeshme as nga fakti se ajo ka një pasaportë gjermane.

Ndërmarrjen e saj “Skënderbeg” e ka themeluar në vitin 2013. Në fillim të vitit 2014 e ka vendosur këtë ndërmarrje nën legjislaturën e Lihtenshajnit. Dhe, vetëm pas pak muajsh, ekipi tre anëtarësh ka arritur të realizojë 10 milionë dollarë. Nga revista profesionale “Hedge Funds Review”, ndërmarrja është shpallur si më e mira në mesin e ndërmarrjeve të tilla të reja të kësaj fushe. Brenda një kohe të shkurtër pastaj radhiten çmime tjera të këtij lëmi.

Sot “Skënderbeg” menaxhon me gjithsej 80 milionë dollarë – e gjithë kjo nga banesa e Ademajt në Zollikon (Cyrih). Është akoma një kompani fillestare, kështu që në fakt nuk ka zyra të vetat. Ato i merr me qira kur kanë termine me klientët.

Miranda ka ambicien e një femre që ngjitet shkallëve sociale dhe fuqinë e vullnetit të një fëmije refugjat shqiptar, çfarë ajo në fakt ka qenë. Kush investon kapital, duhet të dijë të marrë vendimin e duhur në luhajën në mes të sigurisë dhe pasigurisë. Pasigurinë dhe nevojën për të pasur guxim Ademaj e ka mësuar herët në jetën e saj. Atëbotë, si vajzë e vogël, rrugës për në shkollë ishte ndaluar njëherë nga dy policë. Njëri prej tyre ia mbante revolen në kokë dhe fliste me tjetrin nëse do ta ngrehte këmbëzën ose jo. Popullsia shqiptare gjatë kohës së luftës nuk gëzonte të drejta. Policët pastaj e liruan Mirandën. Ishte një përvojë e një pasigurie të madhe për një fëmijë.

Pak më vonë, pasi që babai, për shkak të angazhimit të tij politik u detyrua të ikte nga Kosova, edhe pjesa tjetër e familjes iu bashkua atij në Gjermani. Kjo ishte diçka tjetër për një shqiptare, një vend i mundësive të pakufizuara.

“Liria është tema ime jetësore”, thotë Miranda me vetëbesimin që i dëgjohet në zërin e saj.

Ndërmarrjen e ka emërtuar sipas luftëtarit shqiptar për liri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili në shekullin XV kishte mbrojtur popullin e tij kundër osmanëve. Ndonëse me këtë emër, ndërmarrja “Skënderbeg” nuk është se investon me një gatishmëri te madhe për rrezik. Dhe, pikërisht këtu Miranda e sheh cilësinë që ajo sjell si femër në këtë biznes, cilësi që nënkupton më shumë një qasje të arsyeshme në raport me rrezikun se sa në një gatishmëri të lartë për investime me rrezik.

“Si grua, gjatë gjithë jetës konfrontohesh më fort me situata pasigurie se sa si burrë”, thotë Ademaj. “Dhe përmes kësaj, femra sjell me vete një kompetencë tjetërfare”.

Ajo ka një qeshje vajzërore. Thotë se për nga natyra gratë i studiojnë deri në detajin më të imët rreziqet e një veprimi para se ta ndërmarrin atë.

“Është testosteroni që meshkujt shpesh i pengon dhe kjo i bënë që të vendosin në mënyrë impulsive dhe me mendjelehtësi. Dhe, në investimet në kapital kjo gjë nuk është e mirë”.

Gjinia ka qenë gjithmonë me rendësi në rrugën e saj jetësore. Nëna e saj ka lindur katër fëmijë dhe ka luajtur rolin e shtëpiakes, rol ky i rezervuar tradicionalisht për gratë në Ballkan. Por, e bija, me notat më të mira shkollore, është rritur në Gjermani. Kjo solli tension në mes të dy kulturave divergjente.

“Isha në mes dy zjarresh”, thotë Ademaj.

Ajo u përcaktua për emancipimin, me çka e humbi një pjesë të mirë të mbështetjes familjare. E, kjo dhembte. Me studime të mbaruara me nota të shkëlqyera, ajo punësohet së pari në Credit Suisse në Cyrih. Si profesion të dytë ka modelimin, që e çon deri në një prezantim televiziv në Sat 1. As kjo nuk ishte diçka që do t`u pëlqente prindërve. Dhe, pastaj erdhi shkëputja totale.

Si 25 vjeçe nis një udhëtim nëpër botë. Për tre muaj shpenzon të gjitha paratë e fituara. Pastaj, me xhepa të zbrazët vazhdon rrugën, mëson se si mund t`i ikë krokodilit: punë si vjelëse në një plantazh bananesh.

“Dhe gjithmonë kur mendon se nuk shkon më tutje, do ta gjesh sërish një zgjidhje”, thotë Miranda me shikim nga e kaluara.

E kthyer në Cyrih rreth fundit të të njëzetave, ajo tashmë është grua e pjekur. Punësohet në fondin e investimeve Brunrinvest në Cyrih ku mëson shumë. Në mesin e punëtorëve njihet me dy burrat me të cilët krijon “Skënderbegun”.

Motoja zyrtare e firmës tingëllon jo shumë dalldisëse: “Winning by not losing” (Fitim duke mos humbur) dhe “Boring is good” (Monotonia është e mirë”).

“Ne nuk duam ta rizbulojmë rrotën duke lansuar produkte të reja të trendit nga fondet e veçanta të cilat nuk i merr vesh askush”, thotë Miranda e bindur.

Dhe, ku e sheh veten pas disa vitesh? Ajo nuk ngurron për asnjë moment me përgjigjen: “Ne duam të bëhemi më të mëdhenj, por të mbetemi një lojtar anësor”. Si fjalë përmbyllëse: “Kam dëshirë që gratë të mbledhin me tepër guxim për të punuar në fushë e fondeve dhe të tregohen me më shumë vetëbesim në raport me rreziqet, qasje kjo që ne gratë e kemi në vete. /albinfo.ch/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shqipetarja-e-investimeve-milioneshe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala