Shqipëria përforcon masat në kufi

Autori:Gazeta Fjala

Për shkak të valës së emigrantëve, që vijnë kryesisht nga Siria, e që ditët e fundit vërshuan si lumë në Greqi e Maqedoni, policia kufitare shqiptare raportohet se ka përforcuar masat në kufi.

Jo zyrtarisht thuhet se, ndonëse nuk parashikohet që në këtë rast Shqipëria të përdoret si tranzit, duke marrë shkas nga eksperienca e dy viteve të kaluara, ku mjaft sirianë e kanë përdorur këtë vend si pikë kalimi, në pikat kufitare veçanërisht në jug kanë nisur inspektimet.

Gjatë së shtunës, nga burime të pakonfirmuara thuhet se, zyrtarë të policisë kufitare kanë inspektuar pikën kufitare të Kapshticës dhe të Kakavijës, ku deri më tani situata duket e qetë dhe nuk ka dyndje të emigrantëve nga vendet e Lindjes, për ta përdorur Shqipërinë si një korridor kalimi me destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Dy vitet e fundit, mjaft emigrantë nga Siria dhe Afganistani, në tentativë për të kaluar drejt Malit të Zi e më tej për në Europë, kanë përdorur Shqipërinë si vend tranziti.

Gjatë kësaj periudhe kontrollesh u raportua edhe mbipopullim në Qendrën e posaçme të Karecit, ku edhe mbaheshin përkohësisht refugjatët. Këtë vit, ata kanë zgjedhur si korridor kalimi itinerarin Turqi-Greqi-Maqedoni-Serbi, duke shmangur Shqipërinë.

Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se, nëse vala e refugjatëve do të orientohej nga Shqipëria, ky do të ishte një problem shumë i madh. Top Channel

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shqiperia-perforcon-masat-ne-kufi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala