Shqipëria me taksat më të larta në Rajon

Autori:Zekirja Shabani

Shqipëria paraqitet si vendi me normat më të larta tatimore në Rajon dhe me produktivitetin më të ulët të grumbullimit të taksave. Krahasimi është bërë nga Al –Tax, nxjerr në pah qartë se, Shqipëria renditet e treta për nga taksat e larta ndër 8 vende të rajonit, por në të njëjtën kohë është e dyta për nga dobësia e grumbullimit të tyre.

Në një analizë të barrës tatimore duke llogaritur të gjitha normat tatimore së bashku, Al –tax nxjerr në pah se, barrën më të lartë tatimore e mbajnë Greqia, Serbia dhe Shqipëria. Barrën më të ulët sipas normave tatimore së bashku e mbajnë Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnjë – Hercegovina. Në llogaritjen e barrës tatimore sipas normës tatimore nuk përfshihen skemat e përjashtimeve tatimore, si dhe politikat e përkohshme të taksimit (brenda vitit fiskal), thuhet në studimin e Al-tax.

Ngarkesa tatimore shkoi në vitin 2014 (25,7%) krahasuar me 2013 (24,3%) me + 1,4 pikë për qind, që reflekton ndryshimet e ndodhura në legjislacionet e disa vendeve ballkanike në lidhje me normat e tatimeve të caktuara. Në Greqi është miratuar ndryshimi i normës maksimale të tatimit mbi të adhurat personale me 4 për qind më shumë. Të njëjtin ndryshim të kufirit maksimal të tatimit mbi të ardhurat personale e ka kaluar edhe Kroacia, por nisur nga formula e llogaritjes së normës tatimore gjithsej, efekti i ndryshimeve jepet për vitin pasardhës. Ndërsa në vendet e tjera të Ballkanit, ndryshimet e ndodhura në normat tatimore kanë dhënë ndikime dhe efekte më të vogla. Për TVSH-në, normën tatimore mbi mesataren e kanë Kroacia dhe Greqia, ndërsa normën tatimore nën mesatare e kanë Kosova, Bosnja, Mali i Zi. Për tatimin mbi fitimin, normën tatimore mbi mesataren e kanë Greqia, Kroacia, ndërsa normën nën mesatare e kanë Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bosnja. Shqipëria konstatohet me normë tatimore për fitimin ndërmjet kufirit më të lartë dhe më të ulet.

Grumbullimi i taksave në raport me PBB në vitin 2014 është mesatarisht sa 28,7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky nivel në Shqipëri është 24,1%. Në vitin 2013 grumbullimi i taksave në raport me PBB ishte 30,5 për qind. Vendet me produktivitetin më të lartë të grumbullimit në Ballkan janë (Greqia, Bosnja, Mali i Zi, Serbi) përbëjnë mbi 60% të prodhimit të brendshëm bruto të Ballkanit. Nëse shikojmë shpërndarjen gjeografike në Ballkan, mbledhja e taksave në raport me prodhimin gjendet në shtetet e Ballkanit Jugperëndimor dhe Qendror (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni). Ndërsa barra tatimore më e lartë gjendet në shtetet e Ballkanit Perëndimor (Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci) dhe veriut e jugut të Ballkanit (Serbi, Greqi). Në një analizë të barrës tatimore duke llogaritur të gjitha normat tatimore së bashku, shihet se barrën më të lartë tatimore e mbajnë Greqia, Serbia dhe Shqipëria. Barrën më të ulët sipas normave tatimore së bashku e mbajnë Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnjë – Hercegovina./monitor/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shqiperia-me-taksat-me-te-larta-ne-rajon/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala