Shqipëria fundos Armeninë

Autori:Zekirja Shabani

Shqipëria ka arritur ta përmbysë avantazhin e Armenisë nga pjesa e parë, për ta fituar sfidën e vlefshme kualifikuese për Euro 2016 me rezultat 2-1.

Euforia shqiptare për këtë ndeshje u kushtoi kuqezinjve në fillim të sfidës, me ç’rast mysafirët kaluan në epërsi. Mkhitaryan e kaloi me lehtësi Canën dhe harkoi ulët te Movsisyan, i cili vetëm e devijoi në rrjet (4’).

Ishin kuqezinjtë ata që e dominuan vazhdimin e pjesës së parë duke krijuar raste të shumta, mirëpo nuk arritën që t’i shfrytëzojnë ato. Përmendim dy harkime të Agollit dhe mosshfrytëzimet nga Xhaka e sidomos Abrashi, goditja e të cilit e preku pjesën e jashtme të shtyllës.

Shtyllën e goditi edhe Cikalleshi në minutën e 33-të, derisa harkimet e Agollit vazhduan edhe kur po përfundonte pjesa e parë, ndërsa as Cana e as Cikalleshi nuk arritën të shënojnë.

Dominimi total i kuqezinjve vazhdoi edhe në fraksionin e dytë, ndërsa inkuadrimi i Lenjanit dhe Gashit i dha akoma më shumë shpirt kësaj ndeshjeje.

Rastet e njëpasnjëshme të vendasve nuk ndaleshin, derisa shtylla vazhdonte të ishte një pengesë për golin e kuqezinjve. Përmendim një goditje fantastike të Cikalleshit që u përplas në shtyllë.

Loja e mirë e Lenjanit, bëri që Hambartsumyan të merrte kartonin e dytë të verdhë dhe të përjashtohej nga loja (70’).

Shqiptarët e shfrytëzuan superioritetin numerik në fushë për ta përmbysur rezultatin. Mërgim Mavraj për mrekulli shënoi me kokë pas harkimit të Taulant Xhakës dhe i barazoi shifrat (77’).

Angazhimi i Lenjanit nga e majta u shoqërua me një harkim perfekt të tij dhe Shkëlzen Gashi ishte aty për ta shënuar golin e fitores (82’).

Shqipëria është e dyta në Grupin I me shtatë pikë aq sa ka edhe Danimarka në vend të parë.  /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shqiperia-fundos-armenine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala