Shqipëria e rrezikuar nga terrorizmi

Autori:Avdyl Pajaziti

Në dokumentin e Strategjisë Ushtarake të Shqipërisë që është depozituar tashmë në Kuvend, ekspertët e Forcave të Armatosura analizojnë rrezikun që has Shqipëria nga terrorizmi fetar në botë. Sipas tyre, terrorizmi përbën kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e vendit.

“Tensionet rajonale të ndikuara edhe nga faktorë të tjerë ideologjikë, politikë, fetarë dhe kulturorë mund të frymëzojnë grupe ekstremiste, të cilat synojnë përhapjen e ideologjive ekstremiste dhe ndërmarrjen e akteve terroriste në zonën euroatlantike, përfshi Republikën e Shqipërisë. Zhvillimet e fundit në krahun jugor të Aleancës e bëjnë terrorizmin një kërcënim akoma më prezent, si për vendin tonë ashtu dhe për vendet e Aleancës”, thuhet në këtë dokument të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas ekspertëve, Shqipëria nuk konsiderohet si objektiv, por si një vend i mundshëm transit, gjë që paraqet një rrezik për sigurinë. “Sulmet kibernetike janë rrezik potencial për sigurinë globale, rajonale dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Objektiva të këtyre sulmeve mund të jenë administrata, biznesi, ekonomia, sistemi bankar, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sistemet e transportit dhe furnizimit, sistemi energjetik, infrastruktura kyçe tokësore, ajrore e detare etj”., parashikon Strategjia Ushtarake. Dhe sa i përket kërcënimeve të sigurisë kombëtare, ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes nuk përjashtojnë dhe rrezikun që vjen nga krimi i organizuar dhe trafiqet e paligjshme, të cilat sipas tyre, do të vazhdojnë të paraqesin kërcënim për paqen dhe sigurinë në nivel global, rajonal dhe kombëtar. “Trafiku i armëve, drogës, qenieve njerëzore, materialeve të rrezikshme, pirateria dhe krimet kibernetike do të karakterizojnë krimin e organizuar ndërkombëtar.

Grupe ndërkombëtare të krimit të organizuar mund të bashkëpunojnë me shtete të dështuara, me grupe terroriste, si dhe të përdorin rrjete të sofistikuara, të cilat përbëjnë një sfidë për agjencitë e zbatimit të ligjit”, thuhet në Strategjinë Ushtarake të Shqipërisë. Sipas ekspertëve, një shkak i cenimit të sigurisë kombëtare vjen edhe si pasojë e destabilitetit politik, i cili sipas tyre, përbën rrezik për sigurinë dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. “Përvoja e deritanishme e demokracisë ka provuar se një destabilitet i mundshëm politik rrezikon funksionimin normal të institucioneve, kërcënon paqen sociale dhe sigurinë publike, si dhe cenon rëndë sigurinë kombëtare. Cenimi i linjave kryesore të komunikimit dhe furnizimeve, si: siguria e linjave të energjisë, konkurrenca për naftë dhe burime të tjera strategjike përbëjnë kërcënim për sigurinë. Varësia e Shqipërisë nga një numër i kufizuar furnizuesish rrit nivelin e cenueshmërisë, i cili mund të shkaktohet nga shkaqe teknike apo edhe politike”, thuhet në dokument. /shekulli/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shqiperia-e-rrezikuar-nga-terrorizmi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala