Shqipëria e Kosova pas një muaji me doganë të përbashkët

Shefat e doganave të Kosovës e Shqipërisë janë takuar të enjten në Prishtinë me qëllim të përafrimit dhe jetësimit të vendimeve të qeverive respektive. Me këtë rast, Drejtoresha e Doganës së Shqipërisë, Irena B eqiraj deklaroi se që nga maji dy doganat do të fillojnë të ofrojnë një doganë të përbashkët dhe brenda këtij gjashtëmujori të parë të eliminohen edhe tarifat tjera të cilat janë kosto për biznesin.
Dogana e Kosovës njoftoi se ky takim është rrjedhojë e marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy vendeve, pra thellon edhe më tutje bashkëpunimin e ndërsjellët në mes të dy administratave respektive.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, pas takimit theksoi se janë diskutuar për masat që dy organizatat do të ndërmarrin për implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive. “Do të formojnë grupe punuese dhe do të vendosim afatet për konkretizimin në terren ashtu se si parashihen me marrëveshje. Ka mbi një muaj që procedura e tranzitimit të përbashkët është duke funksionuar dhe në këtë kohë ne jemi duke shikuar se ku mundemi ende të thjeshtëzojmë procedurat ashtu që kufiri të mos jetë pengesë por urë lidhëse. Dy administratat tona kanë marrë obligime dhe kanë zotime që të ulin në minimum kohën e pritjes ashtu që lehtësojmë tregtinë”, ka thënë Rafuna.