Shqipëria dhe Serbia me normën tatimore më të lartë në Rajon

Në raportin “Doing Business 2016” të Bankës Botërore që u publikua pak ditë më parë Shqipëria bashkë me Serbinë renditën me normën më të lartë tatimore në Rajon.
Taksimi i përgjithshëm në Shqipëri për një biznes shkon në 36.5%, kur norma tatimore mesatare rajonale është 24%.
Me një taksim 12 për qind më shumë se mesatarja e Rajonit, Shqipëria prej dy vitesh ka humbur konkurrencën me rajonale në aspektin taksave dhe së fundmi me ashpërsimin e penaliteteve në ligjin e procedurave tatimore dhe rritjen e masës së dënimit me burg deri në 10 vjet për evazion rrezikon të kthehet në një ishull të vetmuar.
Nivelin më të ulët të normës tatimore e ka Maqedonia me vetëm 12 % për qind pasi kontributet e sigurimeve shoqërore paguhen nga punonjësit dhe jo nga bizneset.
Organizatat e Biznesit, sidomos investitorët e huaj gjatë këtij muaji dolën me deklarata zyrtare ku shprehen shqetësim për klimën e krijuar. Sakaq studio të ndryshme ligjore në Tiranë i kanë pohuar Monitor se, kompanitë e huaja që operojnë aktualisht në Shqipëri po interesohen për transferimin e aktivitetit në Maqedoni.