Shqetësimi i OJQ-ve rreth vendimit të TEB bankës

Autori:Gazeta Fjala

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile edhe pse nuk është kliente e bankës TEB është angazhuar të dal në mbrojtje të OJQ-ve të cilave banka TEB para disa ditësh u mbylli llogaritë.

Gazeta Fjala ka raportuar sesi kjo banke vendosi t`i  kontrollojë më tepër organizatat joqeveritare duke ua mbyllur atyre llogaritë deri në dërgimin e një grumbulli dokumentesh.

Taulant Hoxha drejtor i FKSC thotë se është angazhuar për të marrë të gjitha informatat e nevojshme dhe analizuar aspektet ligjore dhe procedurale të një veprimi të tillë.

“Shuma shpejtë KCSF do të dalë me gjetjet e detajuara rreth këtij rasti, me qëllim që të parandalohen raste të tilla në të ardhmen”, thotë Hoxha.

Hoxha tha për Gazetën Fjala se nëse nuk anulohet dhe nuk ndërmirren masat e duhura për t’u parandaluar në të ardhmen, ky veprim i hap rrugë cilësdo bankë që në çdo moment t’ia bllokojë mjetet financiare një OJQ-je, pa urdhër të gjykatës.

Sipas tij kjo është shumë e rrezikshme në disa drejtime.

“Problemi fillestar është bllokimi i llogarive bankare të disa OJQ-ve pa paralajmërim, dhe pa ndonjë bazë të qartë ligjore. Kjo është cënim i lirisë së asociimit, por edhe mund të shkaktojë dëme të drejtpërdrejta në veprimtarinë e këtyre OJQ-ve të cilat nuk do të mund t’i shfrytëzojnë mjetet e tyre financiare”, tha Hoxha.

Sa i përket kërkesës për grumbullin e dokumenteve Hoxha tha se nuk është kompetencë e bankave që të bëjnë analiza të dokumenteve të brendshme të OJQ-ve.

Sipas Hoxhës nëse bankat, ose kushdo tjetër, kanë çfarëdo dyshimi të bazuar në veprimtarinë e një OJQ-je, duhet t’i drejtohen organeve kompetente të cilat janë përgjegjëse për hetime dhe veprime tjera përkatëse, e jo t’i japin vetes të drejta të cilat nuk u takojnë e për të cilat nuk kanë as ekspertizë.

“Disa prej dokumenteve të kërkuara thjeshtë nuk janë të zbatueshme dhe nuk ka mundësi as teknike që të gjenerohen, siç janë dokumentet valide të bashkë-themeluesëve, pronari përfitues përfundimtar i organizatës donatore ose tre projekte vijuese që planifikohen të realizohen nga OJQ-ja”, tha ai.

Gazeta Fjala raportoi se si vendimi i bankës TEB nuk ka shkuar tek të gjitha organizatat joqeveritare dhe se si ky vendim është parë si i padrejtë nga to dhe nga departamenti i OJQ-ve që vepron në kuadër të Ministrisë së Administratës.

Banka Qendrore e Kosovës e sheh si çështjet operacionale  këtë vendim.

“Banka në funksion të njohjes së klientëve të saj mund të kontaktoj ata, përveç tjerash edhe lidhur me rrezikun operacional, përfshirë këtu të gjithë klientët e saj. Rrjedhimisht, çështjet operacionale janë përgjegjësi e bankës që kjo e fundit zhvillon për qëllime operacionale”, tha Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK.

 

Banka Teb nuk ka dhënë asnjë përgjigje për Gazetën Fjala./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shqetesimi-i-ojq-ve-rreth-vendimit-te-teb-bankes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala