Shpërthim në Ankara, raportohen 28 të vdekur (Foto)

Së paku 28 njerëz kanë humbur jetën dhe mbi 60 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim i dyshuar i një automjeti bombë në kryeqytetin e Turqisë, Ankara.
Shpërthimi ka ndodhur pranë një zone ku gjenden selitë ushtarake dhe të parlamentit.
Guvernatori i Ankarasë, Mehmet Kiliclar, ka thënë se bomba duket se ka pasur në shënjestër një konvoj autobusësh që bartnin personel ushtarak.
Zëvendëskryeministri Bekir Bozdag e ka quajtur një akt terrorizmi, njofton BBC.
Në vendin e ngjarjes janë dërguar autoambulanca dhe zjarrfikës, ndërsa shpërthimi është dëgjuar në gjithë qytetin.
Akoma nuk është e qartë se kush qëndron prapa sulmit. Rebelët kurdë, grupi militant Shteti Islamik dhe një grup ekstremist majtist kanë kryer në të kaluarën sulme në Turqi.
Në tetor të vitit të kaluar, një shpërthim në Ankara vrau mbi 100 veta. Ndërsa në muajin e kaluar, një sulmues vetëvrasës shkaktoi vdekjen e dhjetë njerëzve në Stamboll. /Telegrafi/