Shpenzimet kapitale bien për 15 për qind

Autori:Avdyl Pajaziti

Raporti gjashtëmujor financiar i buxhetit të Republikës së Kosovës tregon se Qeveria “Mustafa” ka ekzekutuar buxhetin për shpenzime kapitale për 15 për qind më pak se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

Me këtë raport konstatohet se gjatë këtyre gjashtë muajve janar – qershor 2015 janë shpenzuar më pak mjete për investime kapitale në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në vlera monetare në vitin 2014 Qeveria kishte shpenzuar 136.66 milion euro, ndërsa në vitin 2015 vlera e tyre ishte 115.60 milionë euro.

Kurse në anën tjetër, sipas raportit, të hyrat tatimore shënuan rritje prej 7 për qind, si rezultat i rritjes së të hyrave nga Doganat për 5 për qind dhe nga ATK për 10 për qind, ndërkaq të hyrat nga tatimi në pronë që mblidhen nga komunat kanë rënë me 3 për qind.

Por, pavarësisht se të hyrat e kësaj periudhe kanë shënuar rritje, arkëtimi i gjithsej të hyrave buxhetore është 5,5 për qind më i ulët se parashikimet buxhetore të cilën e kishte përpiluar Qeveria e kaluar “Thaçi”. Por sipas raportit, të hyrat tatimore janë rreth 6,5 për qind më të ulëta se parashikimi për këtë periudhë (duke mos përfshirë këtu tatimin në pronë), ku mbledhja e të hyrave nga Dogana është 4 për qind nën vlerën e pritur, ndërsa mbledhja e të hyrave nga Administrata Tatimore është 8 për qind nën vlerën e pritur.

Por, për ekspertin e ekonomisë, Ibrahim Rexhepin, këto të hyra kanë qenë të pritura pasi që, sipas tij, asgjë nuk ka filluar të zbatohet nga lehtësirat fiskale, si është TVSH-ja e përshkallëzuar, ndërkohë që është rritur akciza në disa artikuj të cilat kanë reflektuar me rritjen e të hyrave. Ndërkaq që rënia e shpenzimeve kapitale sipas tij, ka ndodhur për shkak të dinamikes se realizimit të projekteve.

“Se do të ketë rritje të hyrash ka qenë e pritur, meqenëse si Dogana, ashtu edhe ATK-ja janë në një ofensivë për vjeljen e tatimeve dhe parasë tjetër që i takon shtetit, pa pasur konsideratë ndaj tatimpaguesve, si atyre individualë, ashtu edhe të biznesit.

Njëkohësisht, ende nuk ka filluar të zbatohet asgjë nga lehtësitë e proklamuara fiskale, e janë rritur akcizat për disa artikuj. Ndërkaq, rënia e shpenzimeve kapitale ka ndodhur për shkak të dinamikës së realizimit të projekteve. Besoj, duke u mbështetur në përvojat e viteve të kaluara edhe shpenzimet kapitale do të rriten muajt e ardhshëm, por jo në nivelin e duhur, meqenëse edhe plani është më i ulët”, ka thënë ai.

Rexhepi ka thënë se kjo Qeveri nuk ka pasur mundësi të bëjë një buxhet më kreativ dhe më cilësor, meqenëse këtë e ka amanet nga Qeveria “Thaçi”. Sipas tij, kreativitetin e saj, si edhe mënyrën se si do të planifikojë shpenzimit duhet pritur t’i shohim në buxhetin e vitit 2016. /Zëri/[er

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shpenzimet-kapitale-bien-per-15-per-qind/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala