Shpendi të reflektojë ose të japë dorëheqje

Kryetari i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Komunën e Prishtinës, Sami Hamiti, e ka quajtur të gabuar mënyrën se si është duke qeverisur kryetari i komunës, Shpend Ahmeti.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se në tri aspektet e zhvillimit të pushtetit lokal kryetari Ahmeti ka dështuar.
“Në aspektin administrativ sigurisht se e keni parë që Ahmeti ka larguar punëtorë dhe ekspertë të karrierës, ndërkohë që e ka stërmbushur administratën me aktivistë të Vetëvendosje!-s, të paaftë për të kryer punë profesionale. Në parametra ekonomikë trendët janë në rënie si në aspektin e grumbullimit të të hyrave vetjake, po ashtu edhe në aspektin e zhvillimit të projekteve kapitale. Edhe në aspektin politik ka dështuar, duke mos qenë i aftë të vendosë komunikim normal në mes të ekzekutivit dhe Kuvendit”, ka deklaruar Hamiti, duke shtuar se me qeverisjen e Vetëvendosje!-s ka vetëm stagnim dhe jo zhvillim të kryeqytetit.
“Nga 25 milionë të projektuara për investime kapitale, në gjashtëmujorin e parë i ka shpenzuar 2 milionë e 140 mijë euro. Nga 27 milionë të planifikuara si të hyra vetjake, ka grumbulluar vetëm 8 milionë e 400 mijë (ose 30 %). Do të thotë, prej pasluftës është niveli më i ulët i inkasimit të mjeteve vetjake dhe i shpenzimeve për investime kapitale. Pra, shifrat nuk tregojnë zhvillim, por stagnim”, ka vlerësuar Hamiti. Kurse sa i përket aspektit të ndërtimit të rrugëve, Haiti ka thënë se kjo qeverisje nuk ka arritur të realizojë as një të tretën e projekteve të kohës së qeverisjes së Mustafës. Në këtë kontekst, Hamiti ka thënë se qeverisja e Vetëvendosje!-s nuk e ka ndërtuar asnjë çerdhe dhe asnjë shkollë si dhe nuk i ka ndalur ndërtimet pa leje, meqë trendi i ndaljes së këtyre ndërtimeve ka filluar tre-katër para se të vijë Vetëvendosja! në pushtet. Sipas Hamitit, Kuvendi është duke e kryer punën si duhet, kurse ekzekutivi jo.
Ai ka thënë se opozita nuk është duke e bllokuar punën, por kryetari Ahmeti po e bllokon vetveten. “Z. Ahmeti është duke e bllokuar vetën nga mosdija dhe mosfuqia politike, sepse ai është peng i komiteteve politike të Vetëvendosje!-s. Opozita nuk e ka për detyrë ta zhbllokojë z. Ahmeti, por ai duhet të gjejë mënyra bashkëpunimi me Kuvendin dhe të arrijë kompromise”, është shprehur Hamiti.
Ai e ka porositur kryetarin e Prishtinës të jetë më i përgjegjshëm dhe të bashkëpunojë me Kuvendin nëse do t’i realizojë qëllimet e veta në të mirë të kryeqytetit ose të japë dorëheqje.
Hamiti në këtë intervistë ka folur edhe për zgjedhjet brenda LDK-së si dhe për funksionimin e koalicionit PDK – LDK në nivel vendi.