Shpendi harron premtimin, nuk e hap pishinën e Gërmisë

Edhe pse çdo vit pishina e Gërmisë ishte hapur rreth gjysmës së qershorit, sivjet kjo pishinë ende nuk është hapur për vizitorë dhe nuk ishte faji te temperaturat e ulëta që kanë mbretëruar deri më tash, por te zvarritja e punëve për meremetimin e saj.
Edhe pse kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pasi u pat zgjedhur në postin e të parit të Prishtinës pati premtuar se pishina do të hapet në fillim të sezonit veror të vitit të kaluar, kjo nuk po ndodh as sivjet.
Punimet që janë duke u bërë në këtë pishinë, sipas zyrtarëve komunalë, kanë ngecur për shkak të mosdakrodimit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe kompanisë kontraktuese “Arda Rei” për kryerjen e punimeve.
Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ka pranuar se shkaku kryesor se përse ende nuk po hapet pishina e Gërmisë janë ngecjet në kryerjen e punëve kontraktuese, por nuk ka pranuar të jap ndonjë afat se kur mund të hapet kjo pishinë për vizitorë.
Ajo vetëm na ka informuar se të enjten, në orën 10:00, drejtoresha komunale për Kulturë e Sport, Saranda Bugojevci, do të zhvillojë një vizitë në pishinën e Gërmisë dhe aty ajo do të deklarohet për media edhe lidhur me afatin për hapjen e pishinës.
Nga ajo sa shihet me sy, në pishinën e Gërmisë po finalizohen punët përfundimtare dhe pishina ka filluar të mbushet me ujë.
Edhe sipas disa postimeve që zyrtarët e Komunës së Prishtinës i kanë bërë në rrjetin social Facebook del se kanë përfunduar pothuajse të gjitha përgatitjet dhe kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla deri në hapjen solemne të kësaj pishine. /Kosovalive360/.