Shpend Ahmeti: Zgjedhjet e parakohshme, zgjidhja e vetme

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, që vjen nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje thotë se zgjidhja e vetme për krizën politike në Kosovë janë zgjedhjet e parakohshme.

Ahmeti, i cili ndodhet në Uashington për Mëngjesin e Lutjeve, tha se insistimi tek emri i ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi për president është përçarës dhe do ta thellonte krizën më tej.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ahmeti thotë se qeveria aktuale nuk ka legjitimitet që të shtyjë përpara çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të Asociacionit të komunave serbe.

“… Në qoftë se nuk ka ndonjë zgjidhje nga ato tre çështje, apo tre rrugë të cilat i ka vendosur opozita si opsione për të dalë nga kriza, nuk e shoh se si. Jo vetëm unë por edhe ne si opozitë në përgjithësi, por tash po shihet se edhe një numër i madh i qytetarëve – sepse dje kishim edhe një deklaratë të shoqërisë civile që kërkonte zgjedhje të parakohshme – nuk shoh rrugë se si mund të dilet nga kriza. Ose duhet të ketë tërheqje nga ato dy nënshkrime, ose është referendum për ato dy çështje, ose në rastin të cilin ne e kemi përmendur që tashmë është opsioni më i mundshëm, zgjedhjet e parakohshme. Pra tash kemi një situatë ku po shtyhet në çfarëdo mënyre zgjedhja e presidentit e që ne mendojmë se është si gabim në hapa, sepse po shkohet me një figurë apo një personalitet që nuk është personalitet unifikues, është më shumë përçarës, pra po flasim për Ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në një kohë kur ka një krizë të rëndë politike dhe të insistohet në zgjedhjet e tij, në këtë situatë në krizë, mendoj se vetëm do ta përçajë jo vetëm Kuvendin, por në njërën anë edhe do ta thellojë krizën qe kemi si shoqëri tashmë”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shpend-ahmeti-zgjedhjet-e-parakohshme-zgjidhja-e-vetme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala