Shpend Ahmeti po largon njerëz nga puna, po punëson militantë të VV-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Grupi i asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka reaguar ndaj Komunës, duke thënë se po përjashtohen nga puna zyrtarë të niveleve të ndryshme, për shkak të “bindjeve politike”.

Sipas tyre, Shpend Ahmeti, duke shkelur çdo normë po punëson aktivistë partiakë të VV, me kontratë mbi vepër, veprime këto të kundërligjshme, tendencioze dhe tipike politike.

LDK-ja e Prishtinës konsideron se tash e gati dy vjet, dështimi dhe humbja që po i shkaktohet kryeqytetit nga një qeverisje jodemokratike, përjashtuese dhe jostabile në kryeqytet, ka marrë përmasa të shkeljeve të drejtpërdrejta të ligjeve dhe për më keq të të drejtave të njeriut.

“Përjashtimi nga puna i punëtorëve të Komunës së Prishtinës, i shërbyesve civilë, i zyrtarëve të niveleve të ndryshme, për shkak të “bindjeve politike” është i papranueshëm. Nxjerrja pa kurrëfarë vlerësimi a performance profesionale sipas procedurave ligjore, përveçse është shkelje e ligjit, në shumë raste të përjashtimit nga puna përbën shkelje të të drejtave të njeriut, është diskriminim dhe cënim i të drejtave dhe dinjitetit njerëzor ndaj punëtorëve, të cilët me indinjatë po shprehin pezmin e tyre njerëzor ndaj akteve të tilla. Edhe më i rëndë del veprimi i kryetarit Ahmeti, që në vendin e punës të të përjashtuarve nga puna, duke shkelur çdo normë, punëson aktivistë partiakë të VV, me kontratë mbi vepër, veprime këto të kundërligjshme, tendencioze dhe tipike politike”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas tyre, rastet e të përjashtuarve, ata të cilët po i kthen gjykata, ose Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me tu kthyer në vendin e punës, ndaj të njëjtëve ngritet procedurë disiplinore për largimin e sërishëm nga puna dhe nga buka e tyre.

“Këto janë veprime diskriminuese dhe antiligjore të kryetarit Shpend Ahmeti, i nxitur dhe i kapur nga zyra politike e VV”, thuhet në reagimin e LDK-së.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shpend-ahmeti-po-largon-njerez-nga-puna-po-puneson-militante-te-vv-se-see-more-at-httplajmi-netshpend-ahmeti-po-largon-njerez-nga-puna-po-puneson-militante-te-vv-sesthash-cwrrrik5-dpuf/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala