Shpend Ahmeti akuzon policinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka akuzuar policinë për mosveprim në rastin e kompanisë Pastrimi. Sipas tij, ajo po përdorë arsyetime banale për moskryerje të detyrave të veta.
Lexoni postimin e plotë në profilin e tij të facebookut:

Para disa javësh, aksionarët e Komunës së Prishtinës morën vendimin që përmes bordit dhe si aksionarë më të mëdhenj të kompanisë Pastrimi ta shkarkojnë drejtorin e kompanisë, Feim Salihun.

Edhe pse me presione të jashtëzakonshme ndaj komunave të tjera, Prishtina arriti që ta merr një vendim të tillë (si pronare e 77 përqind të aksioneve të kompanisë).

Ky shkarkim erdhi si pasojë e menaxhimit të dobët të ndërmarrjes me shumë borxhe e shkelje, të dokumentuara. Pas shkarkimit kemi kërkuar që menjëherë të ketë një auditim të kompanisë dhe po ashtu edhe të hapet dera për policinë e krimeve ekonomike.

Në të njëjtën kohë, aksionerët e komunës së Prishtinës kanë ushtruar padi ndaj Bordit të kompanisë të cilët pa konkurs ja kishin vazhduar kontratën z. Salihu në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Këtë vazhdim e kishin bërë me 20 dhjetor 2013, 20 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në komunën e Prishtinë dhe pak para konstitutimit të Kuvendit Komunal, rrjedhimisht para caktimit të aksionerëve të ri të ndërmarrjes në Prishtinë.

Në atë padi, aksionarët kanë kërkuar masën e përkohshme të pezullimit të vendimit për vazhdimin e punës së Z. Salihu.

Gjykata ka vendos në favor të paditësit dhe deri në marrje të vendimit të gjykatës Z. Salihu nuk mund ta ushtrojë këtë detyrë.

Përkundër kërkesave të shumta në Polici, ata kanë hezituar të marrin masa me arsyetimet më banale. Në të njëjtën kohë kur Z. Salihu deklaronte se mund të shkarkojë policë që vijnë në zyre te ai.

Në mbrojtje të interesit publik, dhjetëra qytetarë sot kanë vazhduar moslejimin e këtij personi jolegjitim me hy në ndërmarrje për ta ushtruar në mënyrë joligjore punën.

Për më shumë, kompania Pastrimi duhet të shpëtohet nga zaptuesit me qëllimin e vetëm të ofrimit të shërbimeve cilësore, pastrimin e mbeturinave. Puna është e mundshme vetëm kur të gjithë punojnë për të mirën e qytetit tonë.
Deri në bërjen e qytetit!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shpend-ahmeti-akuzon-policine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala