Shoqata e naftëtarëve: Nafta është e dyshimtë

Autori:Avdyl Pajaziti

Derivatet e naftës nuk kontrollohen në kufi dhe kjo lë hapësirë për dyshime për cilësinë e këtij produkti që shitet në tregun e Kosovës, thotë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Në një intervistë për radion Evropa e Lirë, Berjani tha se ky është një perceptim dhe se kjo është për tu gjykuar.

“Shoqatës nuk i bën nder asnjë kompani që ka probleme me ligjin, kontrabandën apo krimin ekonomik. Është shumë për të vlerësuar edhe qëndrimin e shoqatës, e cila ka qenë e zëshme dhe kërkesat e saj kanë qenë për sundim të ligjit, kontroll të cilësisë dhe sasisë së derivateve të naftës”, tha ai.

Për shkak të problemeve të ndryshme në këtë sektor, Shoqata e Naftëtarëve kërkon që edhe një herë të bëhet rishikimi i ligjit, i cili është në proces e sipër.

Sipas Berjanit, nuk ka kontroll të cilësisë së derivateve të naftës. “Deri më tash nuk është kontrolluar më shumë se tre për qind, por edhe nga kjo sasi e kontrolluar ka rezultuar që një pjesë e madhe të jetë jo konform ligjeve, që do të thotë se gjatë importit nuk është kontrolluar, ose se 97 për qind e naftës futet në Kosovë pa u kontrolluar”.

Në bazë të një udhëzimi administrativ, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka zëvendësuar laboratorët me Trupa Inspektues, dhe këta trupa bëjnë vetëm përshkrimin e analizave dhe jo kontrollet laboratorike. Në Kosovë ekzistojnë katër Trupa Inspektues dhe tre laboratorë.

Berjani shton se sikur të shtohen kontrollet në kufi, atëherë siguria do të jetë më e madhe.

“Deri sa nuk ka kontroll të mjaftueshëm në kufi, nuk mund të themi se ka rregull siç duhet të jetë. Ne vazhdimisht kemi kërkuar që gjatë importit të maten edhe vagonët që hyjnë në Kosovë. Por, kjo ka hasur në veshë të shurdhër dhe këtu mund të ketë anashkalim të cilësisë, sasisë . Ne u jemi drejtuar autoriteteve kompetente që vagonët me derivate të maten në kufi, pasi aty mund të dyshohet se hyn malli pa tatim dhe me cilësi jo të duhur”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/shoqata-e-naftetareve-nafta-eshte-e-dyshimte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala